Ndërlidhjet

Daçiq të shtunën viziton Kosovën


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, do ta vizitojë të shtunën, më 19 tetor, Kosovën.

Njoftimi është dhënë nga vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës.

Zoti Thaçi ka bërë të ditur se vizita e homologut të tij serb ka karakter fetar.

Tash për tash është bërë e ditur se ai do të qëndrojë në Graçanicë.

Vizita e tij pason atë të ministrit serb për Kosovën, Aleksandar Vulin, të cilit autoritetet në Kosovë ia kishin ndaluar hyrjen për shkak se kishte shkelur kushtet e përcaktuara.

Vulin ishte angazhuar në fushatën parazgjedhore të një subjekti politik serb, i cili gëzon mbështetjen e Beogradit, e i cili garon në zgjedhjet vendore të 3 nëntorit në Kosovë.

Me gjithë vendimin për ndalimin e hyrjes së tij, zoti Vulin ka hyrë në veri të Kosovës dhe ka zhvilluar disa vizita në këtë pjesë të vendit.

Zoti Thaçi, në takimin e sotëm të mbledhjes së qeverisë ka thënë se zoti Vulin ka hyrë ilegalisht në Kosovë, por nuk ka përmendur për masat eventuale që do të mund të zbatoheshin në këtë rast.
XS
SM
MD
LG