Ndërlidhjet

Takimi i Brukselit nuk do ta sqarojë vizitën e Vulinit në Kosovë


Bruksel...
Bruksel...
Takimi i radhës ndërmjet delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi që mbahet të mërkurën në Bruksel, më 30 tetor, nuk pritet të qartësojë çështjet problematike të vizitës së delegacionit të lartë qeveritar nga Serbia në Kosovë në funksion të përmbylljes së fushatës zgjedhore.

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se gjatë vizitës së tij mjediseve të banuara me serbë në Kosovë do të marrë në delegacion edhe ministrin pa portofol për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ky i fundit, nga Prokuroria e Kosovës po hetohet nën dyshimet se ka kaluar ilegalisht kufirin.

Madje, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi ka paralajmëruar se Vulin do të arrestohet nëse futet në Kosovë, pasi që ai paraprakisht nuk kishte përfillur urdhrin për ndalesë të hyrjes në Kosovë dhe ishte futur ilegalisht.

Por, çështja e mbetur pezull, me gjasë nuk do të trajtohet as në takimin e nesërm në Bruksel.

Zëvendëskryeministrja dhe koordinatorja e palës kosovare në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë për Radion Evropa e Lirë se çështjet e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë nuk do të trajtohen në dialogun e Brukselit.

Çështjet e vizitave nuk janë pjesë e dialogut të Brukselit. Ato rregullohen në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes shtetit të Kosovës deh Serbisë dhe për këtë procedurat janë të njohura”, ka thënë Tahiri.

Sipas procedurave, vizitat e zyrtarëve të Beogradit fillimisht lajmërohen në Zyrën e Bashkimit Evropian, prej nga më pas informohet dhe kërkohet leja e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht e Ministrisë së Drejtësisë.

Por në rastin e Vulinit, pasi që ishte konstatuar se ai nuk ka përfillur ndalesën, çështja i ka kaluar Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Megjithatë, kjo Ministri, nuk kishte një përgjigje se si do të reagonte në rast se në delegacionin e Vuçiqit të enjten do të jetë edhe Aleksandar Vulin.

Për të enjten, Vuçiq ka paralajmëruar se do të vizitojë shumë mjedise në Kosovë, para ditës së votimeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Këshilltari politik i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq, i ka cilësuar si absurde dhe kërcënuese deklaratat e zyrtarëve në Prishtinë për arrestimin e Vulinit. Sipas tij, këto deklarata janë kërcënim për serbët që të mos dalin në zgjedhje, pasi që ky komunitet mund të fitojë në disa komuna si shumicë.

Mendoj se qarqet politike në Prishtinë kanë vlerësuar se çfarë rëndësie dhe hapa përpara paraqet për interesat serbe në Kosovë, nëse bashkësia serbe fiton shumicën në 10 komuna në këto zgjedhje”, ka thënë Gjuriq, për mediat serbe.

Andaj, sipas tij, edhe po përpiqet që të pengojë daljen e këtij komuniteti në zgjedhje.

Çështja e zgjedhjeve të 3 nëntorit, pritet të jetë temë boshte e takimit të nesërm në Bruksel ndërmjet delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi.

Përkatësisht, aty pritet të trajtohen ankesat që kryesisht i kanë parashtruar votuesit serb jashtë Kosovës e të cilët nuk janë përfshi në listat zgjedhore.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka potencuar se ka pak kohë që të trajtohen si duhet të gjithat, për shkak se zgjedhjet mbahen më 3 nëntor, por për vonesat fajin ia ka mveshur palës serbe e cila, sipas saj, ka zvarritur shumë qasjen për autoritetet e Kosovës në regjistrat civile të cilat ende janë në Serbi dhe nuk i ka kthyer, përkundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Në saje të asaj vonese 10 ditore që ka bërë Serbia pa ndonjë arsyetim, çdo gjë më pas ka qenë edhe nën presion edhe në periudha të ngushtuara kohore. Mirëpo ne si shtet edhe si qeveri po bëjmë maksimumin. Në këtë rast edhe Gjykata Supreme do të përpiqet të rris kapacitetet dhe t’i trajtoj. Kjo është situata dhe ne jemi të bindur se do ta bëjmë maksimumin që të trajtohen ankesat”, është shprehur Tahiri.

Në takimin e së mërkures, që si zakonisht do të ndërmjetësohet nga Brukseli, pala serbe pritet të udhëhiqet nga Marko Gjuriq, këshilltar politik i presidentit të Serbisë, kurse delegacionin e Kosovës kësaj radhe nuk do ta udhëheqë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, por koordinatori i grupit punues për zgjedhje, Qemajl Marmullakaj.
XS
SM
MD
LG