Ndërlidhjet

Vulin do të arrestohet nëse në Kosovë hyn si “paramilitar”


Aleksandar Vulin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, mund të vijë në Kosovë “si njeri i paqes", porse do të arrestohet nëse vjen me uniformë paralmilitari.

“Gjithmonë kemi konsideruar se Vulin duhet të vijë si njeri i civilizuar, si njeri i paqes dhe në përputhje me standardet, me mesazhe afrimi, mirëkuptimi dhe mbështetjeje, e jo në uniformë paramilitari”, citojnë mediat serbe deklaratën e Thaçit për televizionin boshnjak BHT1.

“Nëse Vulin hyn ilegalisht si paramilitar, ai do të arrestohet dhe do të përballet me ligjin”, ka thënë Thaçi.

Prokuroria e Kosovës ka nisur hetime ndaj Vulinit, për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë, disa ditë më parë.

Mediat serbe kanë paralajmëruar se ai, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojnë në Kosovë më 1 nëntor.

Televizioni i Sarajevës ka thënë se intervista e plotë me kryeministrin Thaçi do të emitohet më 6 nëntor.
XS
SM
MD
LG