Ndërlidhjet

Shah: Zhvillohet takimi për titullin e kampionit botëror


Njëri nga zhvillimet më të pritura në fushë të shahut në dekadat e fundit, ka filluar të shtunën në Chennai të Indisë, ndërmjet kampionit aktual botëror, Viswanathan Anand nga India, dhe rivalit të tij nga Norvegjia, Magnus Carlsen.

Loja e parë mbrëmë ka përfunduar me remi, në lëvizjen e 16, pas përsëritjes së pozitës. Në këtë lojë figurtat e bardha i kishte Anand.

Kampioni botëror Anand është 43 vjeçar, ndërsa Carlsen është 22 vjeçar.

Norvegjezi Magnus Carlsen është bërë kryemjeshtër në moshën 13 vjeçare, ndërsa në ranglistën e Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE), ishte i pari në moshën 18 vjeçare. Para tij askush në historinë e shahut nuk e ka arritur këtë rezultat.

Nga ana tjetër, Viswanathan Anand është kampion botëror prej vitit 2007 dhe atë e ka mbrotjru tri herë deri tash.

Duelin e tij të parë për titull të kampionit botëror, Anand e ka zhvilluar në vitin 1995 kundër kampionit të atëhershëm, Garry Kasparov. Këtë meç e pat fituar Kasparov, duke e mbrojtur titullin e kampionit.

Takimi për titullin e kampionit botëror në shah zgjatë 12 lojë, ndërsa fitues është shahisti i cili i fiton i pari 6.5 pikë. Nëse rezultati mbetet baras, atëherë zhvillohen edhe katër lojë plotësuese.

Fondi i shpërblimit është 2.2 milionë dollarë, ndërsa fituesit i takon 60% e kësaj shume.
XS
SM
MD
LG