Ndërlidhjet

KQZ: Rinumërim në 62 vendvotime


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që për 62 vendvotime në territorin e Kosovës të bëhet rinumërimi i votave.

Burim Ahmetaj, nga QNR-ja, tha se për shkak të ngatërrimit të rubrikave, ato fletëvotime nuk mund të pranohen si të rregullta dhe nevojitet një hetim shtesë.

“Gjatë hetimeve të bëra në karantinë shihet se ka mospërputhje të numrit të fletëvotimeve të pranuara, të përdorura dhe të papërdorura. Po ashtu në disa raste shihet se shiritat e thasëve të fletëvotimeve kanë munguar ose nuk janë shënuar në formularët e rezultateve”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se gabime në fletëvotime ka pasur për kandidatët për kryetar komune, por edhe për kuvende komunale.

Sipas tij, probleme me disa kuti votimi ka pasur edhe me listat e votuesve, për të cilat ka kërkuar aprovimin e KQZ-së për hetim dhe mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar.

“Pas hetimit, tanimë rezulton se një pjesë e materialeve mungon. Çka është më e rëndësishme, mungon lista përfundimtare e votuesve dhe për këtë arsye nuk mund të procedohet me këto vendvotime. Gjatë pranimit nuk është pranuar ndonjë listë përfundimtare e votuesve, ndonjë formular i rezultateve, libri i votimit apo materiale të tjera që janë të ndjeshme”, tha Ahmetaj për të shtuar se edhe në votimet me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta ka pasur parregullsi.
XS
SM
MD
LG