Ndërlidhjet

Egjipt: Rusia nuk është zëvendësim për Shtetet e Bashkuara


Nabil Fahmy
Nabil Fahmy
Ministri i jashtëm i Egjiptit, Nabil Fahmy, ka deklaruar se në Kajro nuk po kërkohet aleat i ri për t’i zëvendësuar Shtetet e Bashkuara, pas bisedimeve të nivelit të lartë, me delegacionin e Rusisë, ditën e enjte.

Ministri Fahmy tha se takimi me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ministrin e mbrojtjes, Sergei Shoigu, është “një aktivizim” i lidhjeve ekzistuese me Moskën.

Ai tha se Egjipti synon bashkëpunim “në shumë fusha” me Moskën, për shkak të “rëndësisë ndërkombëtare” të Rusisë.

Ministri rus Lavrov e ka vlerësuar takimin si “historik” dhe tha se Moska dëshiron “një Egjipt stabil me ekonomi prosperuese dhe sistem politik efikas”.

Agjencia ruse Interfax, duke e cituar një zyrtar të kompanisë Rosoboron, që është eksportuesit rus i armatimit, ka raportuar se nuk ka plane për nënshkrim të ndonjë kontrate të madhe ushtarake gjatë takimeve në Kajro.

Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit janë tensionuar, pas përmbysjes së presidentit Muhammad Morsi, në muajin korrik, dhe pasi Uashingtoni e ka ndalur një pjesë të ndihmës së tij ushtarake prej 1.3 miliardë dollarësh në vit për Egjiptin.
XS
SM
MD
LG