Ndërlidhjet

BE përcakton vëzhguesit e saj për balotazhin


Pamje nga zgjedhjet lokale 2013, rrethi i parë, 3 nëntor
Pamje nga zgjedhjet lokale 2013, rrethi i parë, 3 nëntor
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka shpërndarë sot 31 Vëzhgues Afatshkurtër në tërë Kosovën, për të monitoruar balotazhin në zgjedhjet për kryetarë të komunave që do të mbahet të dielën, më 1 dhjetor.

Numri i vëzhguesve të BE-së në ditën e zgjedhjeve do të jetë 71, me shpërndarjen shtesë të vëzhguesve nga ambasadat lokale, krahas 20 vëzhguesve afatgjatë dhe ekspertëve nga ekipet qendrore që kanë qenë të pranishëm në Kosovë për disa javë për të vlerësuar tërë procesin e zgjedhjeve.

“Shpresoj që prania e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të ndihmojë në rritjen e besimit në procesin zgjedhor dhe se njerëzit do të inkurajohen që të votojnë në një mjedis paqësor”, tha Peter Palmer, Zëvendësshef i Misionit, gjatë shpërndarjes së vëzhguesve afatshkurtër.

Ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do t’i vizitojnë vendvotimet për të monitoruar hapjen e tyre si dhe procesin e votimit dhe numërimit. Pastaj, ata do të vëzhgojnë ankesat dhe parashtresat dhe shpalljen e rezultateve.

Pas ditës së zgjedhjeve, Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të lëshojë një vlerësim preliminar të procesit.

Raporti përfundimtar, me rekomandime për zgjedhjet e ardhshme, do të publikohet në fillim të vitit 2014.
XS
SM
MD
LG