Ndërlidhjet

Snowden gati të ndihmoj Brazili, nëse i jep azil


Ilustrim
Ilustrim
I arratisuri nga drejtësia amerikane, ish-kontraktori i shërbimeve sekrete amerikane Edward Snowden ka thënë se është i gatshëm që t’i ndihmoj Brazilit për të hetuar spiunimin që ka bërë Agjencia Amerikane për Siguri Kombëtare (NSA) në territorin e saj, por me kusht që atij t’i jepet azil politik nga ky shtet.

Në një “letër të hapur” të cilën e ka siguruar agjencia e lajmeve Associated Press, Snowden thotë se nuk do të mund të merrte pjesë në këtë veprim, pa i dhënë azil politik sepse qeveria amerikane “do të vazhdoj të përzihet në mundësitë e mia për të folur”.

Në këtë letër, Snowden uron qeverinë e Brazilit për qëndrimin e saj të fuqishëm kundër spiunimit amerikan.

Dokumentet sekrete që ka zbardhur Snowden kanë zbuluar, ndër të tjera, se NSA ka vëzhguar telefonin mobil të presidentes Dilma Rousseff.

Rousseff që prej daljes në publik të këtij zbulimi, ka anuluar të gjitha vizitat zyrtare në Washington.

Në letrën e tij, Snowden thotë se është inspiruar nga debati global i cili i nis pas veprimeve të tij, dhe se kultura e NSA për vëzhgim të gjithanshëm është “duke kolabuar”.
XS
SM
MD
LG