Ndërlidhjet

Nëntë të vdekur nga flakët në një tren në Indi


Ilustrim
Ilustrim
Të paktën nëntë pasagjerë kanë vdekur nga një zjarr që shpertheu në trenin me të cilin po udhëtonin në pjesën perëndimore të Indisë të mërkurën, njoftojnë autoritetet lokale.

Treni ishte nisur nga Mumbai, kurse flakët kishin shpërthyer rreth orës 02h30 të mëngjesit të sotëm në qarkun Thane, derisa udhëtarët ishin në gjumë.

“Kemi gjetur nëntë trupa, në tri vagonë të kapluar nga zjarri”, tha zëdhënësi i hekurudhave Sharat Chandrayan.

“Katër burra dhe një grua kanë vdekur nga asfiksimi. Katër viktimat e tjera kanë pësuar djegie të mëdha, sa që identifikimi i tyre do të jetë i vështirë”, shtoi ai.

Sipas tij, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë mbaruar operacionin e tyre, andaj edhe nuk pritet që të rritet numri i viktimave.

Flakët ishin parë nga një udhëtar i cili më pas ka alarmuar personelin e trenit, që çoi edhe në ndërprerjen e udhëtimit të tyre.

Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi këtë incident.

Dy javë më parë, 26 persona humbën jetën në një incident identik në jug të Indisë.

Hekurudhat në këtë shtet kanë kapacitet prej 9,000 trenave, të cilët në baza ditore transportojnë rreth 20 milion njerëz.
XS
SM
MD
LG