Ndërlidhjet

Economist: Telashexhinjtë e Serbisë


Sikur Shakespeare të ishte gjallë, do të gjente një burim frymëzimi në Serbi, shkruan gazeta Economist.

Sipas saj, armiqtë e vjetër shtrëngojnë duart, miqtë e vjetër godasin njëri-tjetrin me thikë pas shpine. Në një atmosferë të tillë, ky muaj premton të jetë vendimtar.

Të dyja partitë kryesore politike janë duke mbajtur takime që përcaktojnë agjendën e vitit dhe duhet t’iu japin fund spekulimeve për zgjedhje të parakohshme.

Kjo duhet të jetë një kohë e kënaqësisë së qetë. Më 21 janar, Serbia do të nisë formalisht bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Sipas gazetës, një arsye përse Serbia ka arritur kaq shumë është përparimi i mirë në bisedimet me Kosovën, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Për këtë, dy kryeministrat, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi, janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga disa kongresistë amerikanë. Por, në Serbi pak janë duke iu gëzuar kësaj…

Çdo ditë, lajmet dominohen nga pyetja nëse do të ketë dhe kur do të ketë zgjedhje të parakohshme. Të mëparshmet, më 2012, kanë parë triumfin e Partisë Përparimtare Serbe, të udhëhequr nga Tomisllav Nikolliq, i cili tani është president i Serbisë.

Pavarësisht mohimeve, ai është i përfshirë në një konflikt të ashpër me zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiq, aktualisht udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, shkruan Economist.

Në konferencën e partisë më 25 janar, Vuçiq do ta pastrojë partinë nga mbështetësit e Nikolliqit.

Më pastaj planifikon të thërrasë zgjedhje dhe, nëse fiton, të vendosë besnikët e tij në pushtet. “Ai do reforma të shpejta, por ato do të jenë të dhimbshme”, thotë Braca Grubaçiq, anëtar i Partisë Përparimtare Serbe.

Sipas sondazheve të fundit, Vuçiq gëzon mbështetjen e 69 për qind të opinionit, andaj nuk ka dyshim se ai do ta drejtojë Partinë Përparimtare Serbe drejt fitores së zgjedhjeve eventuale të parakohshme, shkruan Economist.

Një nga qëllimet e tij është të trajtojë kompanitë në humbje dhe borxhe, që në shumë raste shërbejnë si zëvendësim i shërbimit social, për të mbajtur rreth 60,000 punëtorë.

Ato dhe drejtorët e tyre, kryesisht të emëruar politikë thotë Grubaçiq, janë me fat “si derrat në baltë të ngrohtë”. Problemi është se në një ekonomi të stagnuar, paratë për t’i mbajtur këto ndërmarrje janë shterur, shkruan Economist.

Shumë nga to nuk udhëhiqen nga anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe, por të Partisë Demokratike, e cila ka qenë në pushtet deri më 2012, ose nga Partia Socialiste e Daçiqit, e cila ka qenë në koalicion me Partinë Demokratike, para se të bashkohej me Partinë Përparimtare.

Në Ballkan, sipas gazetës, patronazhi politik do të thotë pushtet, para dhe vota. Andaj, Daçiq është kundër zgjedhjeve të parakohshme që do ta zëvendësonin atë me Vuçiqin, shkruan gazeta Economist.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG