Ndërlidhjet

Rafuna: Vit i suksesshëm në mbledhjen e taksave doganore


Viti 2013 ishte i suksesshëm për mbledhjen e taksave doganore, ka deklaruar sot drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.

Sipas tij, “përkundër faktit se sasia e importuar gjatë vitit 2013 është për 58% më e ulët se sasia e importuar gjatë vitit 2012, niveli i të hyrave ishte stabil”.

Zoti Rafuna, gjatë konferencës së sotme me gazetarë në drejtorinë e Doganës në Prishtinë, tha se “në total janë grumbulluar 837.4 milionë euro dhe se inkurajues është fakti se ka rritje në inkasimin e akcizës në lojëra të fatit, ku gjatë vitit 2013, ka rritje për 18.25%”.

Mëtutje, në njoftimin për media të Doganës së Kosovës, theksohet se si zhvillim tjetër, Lulzim Rafuna ka veçuar faktin se gjatë vitit 2013 ka rritje të produkteve Kosovare, të cilat janë eksportuar kryesisht në vendet e CEFTA-s, por edhe më gjerë si në Itali, Turqi, Gjermani etj.

Eksporti i përgjithshëm ka arritur në 336,8 milionë euro nga 319,6 milionë euro në vitin 2012.

Njoftohet se një prej zhvillimeve kryesore ishte edhe “fakti se prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar, filloi mbledhja e taksave doganore në dy pikë kalimet veriore, si dhe shkëmbimi elektronik i të dhënave doganore me Serbinë”.

Gjatë vitit 2013 Dogana e Kosovës ka shqpituar qindra kundërvajtje doganore në vlerë prej 1.2 milion euro, ka ngritur më se 150 kallëzime penale në prokurori , ka pasur konfiskime të aparatave të lojërave të fatit, dhe janë zbuluar mallra të ndaluara, përfshirë 35 kilogramë narkotikë, 32 raste me armë dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.
XS
SM
MD
LG