Ndërlidhjet

Thaçi: Pas Tiranës, në radhë Shkupi...Beogradi


Ilustrim
Ilustrim
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se pas takimit të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, pret të ketë mbledhje të tilla edhe me vendet e tjera të rajonit, përfshirë në të ardhmen edhe me Serbinë.

Gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, kryeministri Thaçi foli për mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren, që u zhvillua javën e shkuar, ku përveç tjerash, siguroi të gjithë qytetarët se ky bashkëpunim mes Prishtinës dhe Tiranës, është vetëm bashkëpunim institucional, në të mirën e qytetarëve të të dyja shteteve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës takimet e tilla do të mbajë edhe me qeveritë e vendeve tjera të rajonit.Tani veç kanë filluar përgatitjet për një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë. Ndërsa, në të ardhmen presim takim edhe Qeverinë e Malit të Zi”, ka thënë Thaçi sipas komunikatës nga zyra e tij.

“Kur të krijohen kushtet dhe rrethanat e përshtatshme, unë jam optimist se do të ndodhë edhe takimi mes Qeverisë së shtetit të Kosovës dhe asaj të Serbisë”.

Sipas kryeministrit të Kosovës, mbledhjet e përbashkëta të qeverive të rajonit, është një projekt në kuptimin e kornizës integruese evropiane.

Shefi i qeverisë në Prishtinë ka falënderuar të gjithë ata që i kanë dhënë mbështetje në dialogun me Serbinë, por lë të kuptohet se kjo përkrahje i ka munguar kur ka zhvilluar mbledhjen e përbashkët me qeverinë shqiptare të shtunën e kaluar.

“Falënderoj të gjithë ata mbështetës të fuqishëm që më kanë dhënë në procesin e dialogut me Serbinë dhe takimet që kam zhvilluar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë", ka thënë ai.

"Kësaj radhe ishin paksa cinikë për bashkëpunimin mes shtetit të Kosovës me Shqipërinë”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi, në komunikatën për shtyp pas mbledhjes së sotme të qeverisë.
XS
SM
MD
LG