Ndërlidhjet

Qela: “Trepça” nuk i ka borxh Serbisë


Halil Qelaj
Halil Qelaj
Kombinati Metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, nuk i ka borxh askujt, e as Serbisë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Halil Qela, ushtrues detyre i drejtorit gjeneral të kombinatit "Trepça”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Qela, Qeveria e Kosovës planifikon që kompleksi “Trepça” të shndërrohet në ndërmarrje publike. Si vlerësoni ju këtë proces?

HALIL QELA
Po shënohet një epokë e re për “Trepçën”. Faktikisht, po përmirësohet një gabim i bërë para 14 vjetësh, ku Trepça padrejtësisht është futur në ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, tashmë Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Me kalimin e kohës të gjithë jemi bindur se ka qenë një futje e padrejtë atje, pothuajse në emër të kredive, borxheve dhe në emër të së kaluarës në kohën e okupimit.

Kështu që, me vetë faktin se Trepça po i kthehet pronarit, që fillimisht është Qeveria e Kosovës, si përfaqësuese e popullit të Kosovës, mendoj se është një lajm i mirë.

Prej këtu përfundon status quo-ja e shumë viteve të kaluara dhe një humbje shumë e madhe e tregut edhe në aspektin teknologjik dhe në aspektin e konkurrencës. Tash hapen perspektivat qoftë për financim nga Qeveria e Kosovës, qoftë për bashkëpunim publiko- privat më kompanitë e interesuara, qoftë për marrje kredish.

Është një formë krejt tjetër, që unë besoj se prej ditës kur do të miratohet Ligji, mendoi se do të hapet një faqe e re e perspektives edhe për punësim dhe zhvillim të “Trepçës”.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht, sa është kapaciteti prodhues në ndërmarrje “Trepça” dhe cilat janë potencialet e prodhimit?

HALIL QELA
Potencialet e prodhimit në “Trepçë” sipas një planifikimi me strategjinë tonë, janë diku rreth 650 mijë ton për minierën e Staritërgut dhe rreth 200 mijë ton për minierën e Artanës, domethënë janë diku 850 mijë ton. Aktualisht, kemi arritur 200 mijë ton, ky është kapaciteti aktual.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat miniera, aktualisht, janë duke prodhuar?

HALIL QELA
Unë menaxhoj pjesën jugore të “Trepçës”, për fat të keq dhe është miniera e Startërgut si shtylla kryesore e krejt “Trepçës’, dhe miniera e Artanës, këto janë dy minierat që aktualisht janë aktive në jug.

RADIO EVROPA E LIRË
“Trepça” ka disa asete edhe në pjesën veriore të Kosovës. Keni ju qasje në atë pjesë dhe cilat janë ato?

HALIL QELA
Me përjashtim të vizitave për dëshirë që të krijojmë raporte të mira me kolegë edhe nga veriu – jo. Kjo për shkak se të dy pjesët e “Trepçës” janë të ndara, edhe pse formalisht, me një numër biznesi, me një numër regjistrimi, me një xhirollogari të përbashkët, funksionojnë si të ndara, fatkeqësisht, por të dyja jemi të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Fatkeqësisht, nuk kemi qasje.

RADIO EVROPA E LIRË
...as bashkëpunim?

HALIL QELA
Bashkëpunim po, por është bashkëpunim në raporte krejt të kujdesshme, ndonjë ndihmë e vogël, për shembull reagjentë kimikë, sfera për bluarjen e xehes, gjëra të imëta dhe një bashkëpunim shumë i kujdesshëm me furnizimin me hi nga KEK-u, por jo në bashkëpunim në emër të zhvillimit të “Trepçës”.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush i menaxhon asetet në atë pjesë?

HALIL QELA
E thashë edhe më herët, është AKP-ja, e cila është administratore e dy pjesëve, dhe në të njëjtën kohë siç jam unë ushtrues detyre në pjesën jugore, në atë veriore qe 10 vjet është një tjetër drejtor menaxhues.

RADIO EVROPA E LIRË
Për riaktivizimin e Trepçës janë dhënë shumë opsione, por cili, sipas jush është më fitimprurës?

HALIL QELA
Ne duhet të marrim disa shembuj nga ristrukturimet që kanë ndodhur në ndërmarrjet e ndryshme në Kosovë, qoftë ndërmarrje me aspekt minerar dhe industrial. Kujtojmë, është një pajtim thuajse i shumicës së ekspertëve të “Trepçës” po edhe të tjerëve që një partneritet publiko-privat do të ishte ai që do ta nxiste për këtë fazë zhvillimin e “Trepçës”.

RADIO EVROPA E LIRË
Po për privatizim, pajtoheni?

HALIL QELA
“Trepça” ka shumë asete. Ka asete, të cilat mund të privatizohen dhe ka asete që nuk duhet të privatizohen. Derisa flasim për resurset minerare, ato janë një aset kombëtar, ndaj të cilit duhet të kemi kujdes dhe nuk bëhet fjalë për privatizim e tyre.

“Trepça” ka shumë asete, brenda e jashtë territorit të Kosovës, të cilat mund t’i nënshtrohen procesit të privatizimit, mirëpo ato janë asete jo thelbësore, të ndara në një strategji të bërë më herët nga ekspertët e “Trepçës” dhe ekspertë ndërinstitucionalë të Qeverisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa asete ka në Kosovë, dhe sa jashtë saj?

HALIL QELA
Diku rreth 27 janë brenda Kosovës, disa janë vetëm në emër, për shkak se janë shkatërruar edhe gjatë luftës dhe pas saj. Ndërkaq, jashtë Kosovës ka një numër, po ashtu, të madh, janë asete të cilat me letra tani nuk janë të “Trepçës”, në emër të një solidariteti që ka qenë në kohën e ish-Jugosllavisë, është investuar gjithçka nga “Trepça’ dhe më vonë është hequr nga e drejta e “Trepçës” për të qenë pronare e tyre. Mirëpo, investimet të gjitha i ka bërë “Trepça”, siç janë disa miniera në Serbi, në Mal të zi në Bosnje e Hercegovinë, kemi ndërtesa afariste në Beograd, Vjenë Sarajevë dhe në shumë vende të tjera të botës.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se “Trepça” ka krijuar një borxh në vitet ‘90 kur është menaxhuar nga pushteti i atëhershëm serb. Keni ju ndonjë llogari se sa është ky borxh?

HALIL QELA
Kjo nuk është hera e parë që unë kategorikisht e refuzoj që ne i kemi brenda kohës së zezë ose kohës së mjegullt, se “Trepça” i ka kujt dikujt borxh. Përkundrazi, nëse shikohet me kujdes, “Trepçës” i kanë shumë borxh, edhe okupatori, edhe të tjerët që e kanë shfrytëzuar atë në mënyrë të pamëshirshme.

Nuk është vërejtur as nga ana ime personale, as nga ana e ekspertëve e bashkëpunëtorëve, dhe të gjithë minatorëve të “Trepçës” se diku në “Trepçë” kemi ndonjë investim ose ndonjë objekt kapital të ndërtuar në këtë kohë, që nënkupton që nuk ka.

Letrat janë diçka tjetër, për këtë unë nuk dua ta luaj rolin e gjykatësit asnjë herë, gjykatat do të jenë ato që do ta vërtetojnë. Mirëpo, kot bëhet vërtetimi se “Trepça” nuk i ka borxh dikujt, nëse bëhet kjo punë pas pesë vjetëve ose dhjetë, në një kohë kur ekonomia mund të shkatërrohet. Kjo është ajo që neve po na mundon. Pse kjo çështje nuk ndahet dhe të zhvillohen paralelisht zhvillimi ekonomik dhe shqyrtimi i ankesave në gjykata të ndryshme?!

RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë, me dokumentacione dhe me infrastrukturë nuk ka borxh “Trepça”?

HALIL QELA
Dokumentacione të tilla ne asnjëherë në “Trepçë” nuk i kemi parë, ju garantoj që nga gushti i vitit ’90 e prapa nuk i kemi parë. Nuk kemi asnjë dokumentacion se “Trepça” i ka borxh dikujt. Këto janë makinacione që janë bërë në kohën e transformimeve të dhunshme, në kohën e pas largimit të të gjithë ekspertëve dhe punëtorëve shqiptarë nuk janë vërejtur.

Mund të ketë letra nëpër kancelari të ndryshme. Tash AKP-ja është duke i mbledhur dokumentacionet për borxhe, të shohim. Mirëpo, unë jam ithtar i asaj që ne mos të humbim kohë derisa këto të vërtetohen, sepse ne e dimë që proceset gjyqësore marrin shumë kohë e “Trepça” duhet ta zërë hapin e humbur për 30 vjet, prej viteve ’90, në raport me konkurrencën që ka edhe në rajon, Evropë dhe më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, në AKP tashmë janë paraqitur shumë kreditorë potencial për “Trepçën”, ndër ta ka edhe kompani të ndryshme nga Serbia. A pajtoheni ju se gjiganti metalurgjik “Trepça” i ka borxh shtetit të Serbisë?

HALIL QELA
Nuk mund të thuhet me një fjalë, por unë po them me dy germa “JO”, nuk i kemi borxh! Përkundrazi, prej vendosjes së masave të dhunshme para luftës dhe gjatë luftës nga Serbia, “Trepçës” i janë shkaktuar dëme më se 1 miliard euro, si punëtorëve për pagat e mbetura borxh, shfrytëzimin e egër që e ka bërë në trupat xeherore.

Sot le të vijnë ekspertët nga e gjithë bota, ta shohin mënyrën se si është eksploatuar miniera e Startërgut, mbi 1 milion ton xehe. Do të shihet se ajo është bërë në mënyrë jo me qëllim vetëm të eksploatimit, por edhe të shkatërrimit të minierës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa punëtorë ka aktualisht në “Trepçë”?

HALIL QELA
Trepça aktualisht i ka 1500 punëtorë, po flas gjithmonë për “Trepçën” në jug. Tash, fatmirësisht, paguhemi nga të ardhurat vetjake, normalisht Qeveria e Kosovës vazhdon t’i mbështesë investimet kapitale në “Trepçë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka bërë investime kapitale Qeveria në “Trepçë”?

HALIL QELA
Të gjitha investimet prej pasluftës deri sot e kapin shumën mbi 100 milionë euro.
XS
SM
MD
LG