Ndërlidhjet

Boshnjaku kërkon hetimin për krime lufte të Vuçiqit e NIkolliqit


Ilustrim
Ilustrim
Një shtetas boshjnak i ka kërkuar autoriteteve të veta që të hetojnë presidentin e Serbisë Tomisllav Nikolliq dhe zëvendëskryeministri i Serbisë Alleksandar Vuçiq, për nxitje të krimeve të rënda gjatë luftës në Bosnje.

Omer Isoviq, një ish-ushtar i Bosnjes dhe Hercegovinës nga Tuzlla, i ka dërguar një kërkesë prokurorisë së shtetit për t’i kërkuar nisjen e hetimeve kundër dy zyrtarëve të lartë serb, për “nxitje të krimeve të luftës ndaj banorëve jo-serb të Bosnjes e Hercegovinës gjatë periudhës 1992-1995”.

Omer Isoviq është plagosur tri herë, dhe është invalid i luftës së Bosnjes.

Sipas medieve në Sarajevë, të cilat citojnë kërkesën e Isoviq, thuhet se ai ka kërkuar nga organi i ndjekjes që të hulumtohen të gjitha materialet dhe dëshmitarët relevant, dhe të shikohen video-materialet në media, të cilat e sjellin Nikolliqin dhe Vuçiqin “në lidhje të drejtpërdrejt me krimet” e supozuara.

“Presidenti i Partisë Radikale të Serbisë, Vojisllav Sheshel, tanimë gjykohet në Hagë për krime të luftës, të cilat kanë kryer njësitet paramilitare të cilat ishin direkt nën drejtimin e tij".

"Vuçiq dhe Nikolliq, në atë kohë, ishin bashkë me Sheshelin aktivistët më të spikatur të partisë, andaj me vet këtë fakt, ka shumë gjasa që edhe ata të jenë të kyçur në punë specifike të pandershme”, shkruan Isoviq në kërkesën e tij dërguar medieve.

Bashkëngjitur me letrën e tij, shtetasi boshnjak ka ofruar edhe një video-material, ku presidenti i tashëm i Serbisë Tomisllav Nikolliq, pranon medaljen e Dukës së Çetnikëve (četničkog vojvode) në Romani, xhirim ky ku shihen se si Shesheli dhe Nikolliqi inspektojnë pozicionet serbe të luftës, mbi Sarajevën e rrethuar.

Isoviq ka dorëzuar edhe xhirimin e dytë, të seancës së Kuvendit të Serbisë, në të cilën shihet Alleksandar Vuçiq duke folur për bombardimet e NATO-së të pozicioneve serb, ndërsa kërcënon:

“Po të vritet një serb, ne do të vrasim qindra mysliman”.

Isoviq ka qenë edhe kryetar i Organizatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës në Bosnje e Hercegovinë, raporton klix.ba.
XS
SM
MD
LG