Ndërlidhjet

Problemi me xhihadin i grupit "Amnesty International"


Moazzam Begg
Moazzam Begg
A është “xhihadi vetëmbrojtje…armiqësor me të drejtat e njeriut? Përgjigjja jonë është jo”. Kështu është përgjigjur Claudio Cordone, ish-sekretar i përgjithshëm i Amnesty International, në shkurt të vitit 2010, ndaj kritikave se grupi për të drjtat e njeriut e ka shndërruar ish-të paraburgosurin e Guantanamos, Moazzam Begg, në një ikonë të protestimit kundër keqtrajtimeve të pretenduara të politikave amerikane të paraburgimit, shkruan Wall Street Jorunal.

Gazeta kujton se autoritetet britanike kanë arrestuar tani zotin Begg nën dyshimet se ka marrë pjesë në kampet e trajnimit terrorist dhe ka lehtësuar terrorizmin në Siri.

Policia lokale në Birmingham ka arrestuar zotin Begg të martën. Ai nuk është akuzuar, por, sipas statutit anti-terrorizëm të Britanisë, ai mund të mbahet në arrest deri në 14 ditë.

Begg, shtetas britaniko-pakistanez, është kapur në Pakistan në vitin 2002 dhe është transferuar në Guantanamo si një luftëtar armik, shkruan WSJ.

Shumë shpejt pas lirimit të tij më 2005, Amnesty ka nisur me shpërndarjen e platformave me zotin Begg, duke e përshkruar grupin e tij mbështetës Cageprisoners si “organizatë udhëheqëse të të drejtave të njeriut” dhe duke e ftuar atë në Fjalimin Vjetor të Amnesty International, më 2006, në Belfast.

WSJ shkruan se Amnesty ka injoruar shkrimet e zotit Begg për admirimin e tij për talibanët. Amnesty nuk është shqetësuar as për intervistat e zotit Begg me propagandistë të Al Kaidës, si imami i ndjerë terrorist, Anëar al-Awlaki.

Në vitin 2010, Gita Sahgal, e cila në atë kohë ka kryesuar me njësinë gjinore të Amnesty, ka dalë nga rendi, duke bërë publike kundërshtimet e saj për promovimin e pikëpamjeve të “mbështetësit më të famshëm britanik të talibanëve”.

Gazeta kujton se Amnesty është përgjigjur duke suspenduar zonjën Sahgal dhe duke e përjashtuar atë përfundimisht.

Tani, Amnesty i ka thënë gazetës WSJ se “marrëdhënia e tij me Moazzam Begg ka qenë si një viktimë e shkeljeve të të drejtave të njeriut”. Organizata ka thënë se “secili ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm derisa nuk akuzohet dhe shpallet i fajshëm në një gjykim të drejtë”.

Kjo është e vërtetë, shkruan WSJ. Por, nëse dyshimet për zotin Begg konfirmohen në gjykatë, ai do t’i bashkohej listës së gjatë të recidivistëve të Guantanamos, përshirë Said al-Shihrin, saudit që ka bashkëthemeluar Al Kaidën në Gadishullin Arabik, dhe dhjetëra të tjerë që i janë kthyer xhihadit pas lirimit të tyre.

Ky është një përkujtim se përse qendra e paraburgimit është e nevojshme dhe nuk duhet të mbyllet, shkruan WSJ. Sipas gazetës, bota ka nevojë për organizata më të besueshme moralisht dhe Amnesty shpesh nuk është në mesin e tyre.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG