Ndërlidhjet

John McCain: Obama e bëri Amerikën të duket e dobët


Presidenti Barack Obama
Presidenti Barack Obama
A duhet të fajësohet presidenti, Barack Obama, për invadimin e Rusisë dhe rrezikun e aneksimit të Krimesë, pyetet në fillim të artikullit të tij në të përditshmen New York Times, autori John McCain, aktualisht senator republikan nga Arizona.

Ai menjëherë përgjigjet se natyrisht se Obama nuk është fajtor, ashtu siç nuk duhet të fajësohet për zgjerimin e NATO-s, luftën në Irak ose intervenimet perëndimore për ndaljen e mizorive masive në Ballkan dhe Libi.

Fajtor është vetëm Vladimir Putin, një imperialist rus i parekonstruar dhe aparatçik i KGB-së, shkruan McCain në New York Times.

Por, në kuptimin më të gjerë, Krimeja e ka zbuluar mungesën shqetësuese që e ka karakterizuar politikën tonë të jashtme nën presidentin Obama. Kjo është pikëpamja e tij botërore, ose mungesa e saj, që duhet të ndryshoj.

Për pesë vite amerikanëve u është thënë se “rrjedha e luftës është duke u tërhequr”, se ne mund të tërhiqemi prapa nga bota me çmim të vogël për interesat dhe vlerat tona. Kjo i ka ushqyer perceptimet se Shtetet e Bashkuara janë të dobëta dhe për njerëzit si Vladimir Putini, kjo dobësi është provokuese.

Kjo është se si zoti Putin e ka parë politikën e “ripërtëritjes”.

Planet për mbrojtjen raketore ishin tërhequr. Aleatët në Evropën Lindore dhe Gjeorgjia ishin lënë anash. Zgjerimi i NATO-s ishte diskutuar. Marrëveshja e re e reduktimit të armatimit strategjik kishte kërkuar shkurtime të rëndësishme nga Amerika, por jo nga Rusia. Zoti Putin dha pak, zoti Obama premtoi “më tepër fleksibilitet”.

Zoti Putin, po ashtu, e ka parë mungesën e vendosmërisë së aksioneve të presidentit Obama jashtë Evropës, shkruan senatori John McCain në New York Times, duke theksuar se në Afganistan dhe Irak, vendimet ushtarake duket se ishin të udhëhequra më tepër nga dëshira për tërheqje se sa për sukses.

Buxhetet e mbrojtjes janë zvogëluar duke u bazuar në dëshirë, e jo në strategji. Irani dhe Kina i kanë ngacmuar aleatët e Amerikës në mënyrë të dukshme. Me gjasë, më e keqja prej të gjithave ishte kur Bashar al-Assadi, e kaloi “linjën e kuqe” të Barack Obamës, duke përdorë armatim kimik në Siri, dhe asgjë nuk i ndodhi.

Për zotin Putin, pavendosmëria e fton agresionin. Bota e tij është vend brutal dhe cinik, ku fuqia është çmuar, dobësia është përçmuar, dhe të gjitha rivalitetet arrijnë në shumën zero. Ai e sheh rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.

Ai nuk e pranon se fqinjët e Rusisë, para se gjithash Ukraina, janë vende të pavarura. Për të ato janë “e afërt e jashtme” e Rusisë dhe duhet të sillen prapa nën dominimin e Moskës, me të gjitha mjetet e domosdoshme, shkruan John McCain në New York Times.

Ajo që është më problematike për agresionin e zotit Putin në Krime, është reflektimi i mospërfilljes për kredibilitetin e Amerikës në botë. Kjo i ka trimëruar aktorët e tjerë agresivë, duke filluar nga nacionalistët kinezë e deri te terroristët e al-Kaidës dhe teokratët e Iranit.

Krimeja duhet të jetë vendi ku presidenti Obama e njeh këtë realitet dhe fillon ta ripërtërijë kredibilitetin e Shteteve të Bashkuara si lidere botërore. Kjo do të kërkoj dy lloje të ndryshme të përgjigjes, shkruan senatori John McCain në New York Times, duke përmendur se e para, dhe më urgjentja, është menaxhmenti i krizës.

Ne duhet të punojmë me aleatët tanë për ta mbështetur Ukrainën, për t’i siguruar miqtë e lëkundur në Evropën Lindore dhe shtetet baltike, për t’i treguar zotit Putin një front të fuqishëm dhe të bashkuar dhe për ta parandaluar përkeqësimin e krizës.

Kjo nuk do t thotë ndërmarrje të aksionit ushtarak kundër Rusisë. Por, kjo duhet të nënkuptoj sanksione për zyrtarët rusë, izolimin ndërkombëtar të Rusisë, dhe rritjen e pranisë ushtarake dhe të ushtrimeve të NATO-s në kufirin lindor.

Kjo do të thotë, po ashtu, përpjekje maksimale për mbështetje të Ukrainës dhe për ri-furnizimin e patriotëve ukrainas, atyre ushtarakë dhe civilë, që gjenden në terren në kapacitetet qeveritare në gjithë Krimenë.

Ata refuzojnë ta pranojnë copëtimin e vendit të tyre. Këtë duhet ta bëjmë edhe ne, shkruan pos tjerash, senatori John McCain, në të përditshmen New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG