Ndërlidhjet

Gjatë protestës në Prizren, 4 të arrestuar


Ilustrim
Ilustrim
Marshi protestues, i cili kishte nisur në orën 12, si dhe protesta e disa qindra qytetarëve të Prizrenit para Kuvendit komunal në Prizren, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka përfunduar pak minuta pas orës 14, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Hazir Berisha, zyrtar për i kësaj policie për rajonin e Prizrenit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se marshi protestues i qytetarëve të Prizrenit dhe protesta e tyre para Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ka kaluar e qetë, pavarësisht se 4 persona janë arrestuar nga pjesëtarët e policisë.

“Janë shoqëruar në objektet e stacionit policor katër persona. Ata do të dërgohen me procedurë të përshpejtuar në Gjykatën për kundërvajtje. Pritet vendimi i gjykatës, ndërsa protesta, kryesisht, ka kaluar pa incidente të mëdha”, ka theksuar Berisha.

Sipas tij, arrestimi i 4 personave është bërë për shkak të, siç ka thënë ai, “sjelljeve huligane” gjatë protestës.

Javë më parë, Muja është shpallur fajtor nga gjykata për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve gjatë tri vjetëve të ardhshme.

Muja, ditën e martë, ka pezulluar detyrën e kryetarit deri në vendimin e gjykatës ndaj ankesës së tij kundër dënimit që iu bë.

Pezullimi i detyrës së kryetarit nga Muja, është cilësuar si e jashtëligjshme nga qytetarët që protestuan, meqë, siç thuhet, në ligjet e Kosovës pezullimi i detyrës së kryetarit nuk njihet si kategori ligjore.
XS
SM
MD
LG