Ndërlidhjet

Sovërliq ende në arrati, policia me disa pista hetimi


Ilustrim
Ilustrim
Policia e Kosovës ende nuk ka arritur ndonjë rezultat konkret lidhur me gjurmimet për të arratisurin Sllobodan Sovërliq, të cilin një turmë qytetarësh serbë, me dhunë e kishin liruar nga një stacion policor në veri të vendit.

Sovërliq, ishte i arrestuar për një kërcënim dhe prishje të rendit publik.

Besim Hoti, zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, ka theksuar se “hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, por ende nuk ka rezultate konkrete”.

Megjithatë sipas tij, “ndaj pjesëtarëve të caktuar të policisë së Kosovës, janë ngritur masat disiplinore, ndërkaq ndaj dy qytetarëve serbë, që ishin pjesë e turmës, e cila e liroi Sovërliqin, prokurori publik ka hapur raste për vepra penale për mundësim të arratisjes së personit të arrestuar”.

Lidhur me këtë incident, zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok u suspendua përkohësisht, çka edhe shkaktoi protestën e serbëve lokal, të cilët patën bllokuar rrugën Mitrovicë – Ribariq.

Masa e suspendimit është hequr dy ditë më parë dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok, është kthyer në vendin e punës.
XS
SM
MD
LG