Ndërlidhjet

Brezovica në pritje të investitorëve potencialë


Brezovicë
Brezovicë
Në një konferencë para ofertuesve për zhvillimin e kompleksit turistik Brezovica, autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje investitorëve që të investojnë në këtë projekt, duke u ofruar atyre përkrahje qeveritare.

Qendra e skijimit “Brezovica” është qendër e njohur turistike që ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit. Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se projekti i Brezovicës zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Sipas tij, ky kompleksi turistik do ta vërë Kosovën në hartën botërore të vendeve për t’u vizituar.

Ai ka deklaruar se me fillimin e projektit të Brezovicës do të hapen 4,000 mijë vende të reja të punës.

“Ne besojmë fuqishëm se privatizimi dhe fuqizimi i sektorit privat është një faktor kyç në zhvillimin e një ekonomie moderne të tregut. Është sektori privat ai që mundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mirëqenies së gjithëmbarshme dhe ky besim është gurthemel i politikave tona. Dua të ritheksoj se me fillimin e projektit të Brezovicës, në Kosovë do të hapen 4,000 vende të reja të punës”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane në Prishtinë,Tracy Ann Jacobson, ka theksuar se interesimi i investitorëve për Brezovicën është inkurajues.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, ka bërë të ditur se shumë shpejt do ta kenë kompaninë që do të zhvillojë kompleksin turistik Brezovica.

“Qeveria e Kosovës dhe MTI kanë ndërmarrë shumë masa dhe reforma për krijimin një klime të favorshme për të tërhequr investime të huaja dhe ne besojmë që projekti i qendrës turistike Brezovica do të jetë në qendër të këtyre përpjekjeve”, ka thënë Nikaj.
XS
SM
MD
LG