Ndërlidhjet

Si të sigurohet “karta e votimit” në Afganistan?


Karta e votimit që ka siguruar gazetari i REL-it në Pragë, Frud Bezhan.
Karta e votimit që ka siguruar gazetari i REL-it në Pragë, Frud Bezhan.
Nga Kabuli: Frud Bezhan, gazetar i Radios Evropa e Lirë


Unë nuk jam shtetas afgan. Nuk kam pasaportë afgane. Megjithatë, kam qenë në gjendje të regjistrohem për të votuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Afganistan.

Si e kam bërë këtë? Vetëm ndiqni këto udhëzime të lehta:

Së pari, merrni një diktafon, një kamerë ose vetëm një fletore të thjeshtë dhe shkoni në njërën nga dhjetëra qendrat për regjistrimin e votuesve.

Rojeve të sigurisë u thoni se jeni gazetar dhe se doni të flisni dhe të fotografoni qytetarë që sapo kanë siguruar kartat e votimit.

Mos u shqetësoni, ju nuk keni nevojë të qëndroni në radhë, prapa qindra votuesve të ardhshëm, disa prej të cilëve kanë pritur me ditë të tëra për të hyrë brenda qendrës. Rojet do t’ju shoqërojnë.

Pasi të kryeni disa intervista dhe të bëni dhjetëra fotografi, afrohuni te menaxheri, i cili drejton qendrën. I thoni atij se pasi keni parë shumë njerëz të kenë marrë kartat e tyre të votimit, ju jeni frymëzuar nga ta dhe e doni një të tillë.

“Dilni në këtë anë”, do të përgjigjet ai me mirësjellje.

Disa momente më vonë, ju do ta gjeni veten brenda një dhome të vogël, ku do të bëhet fotografia juaj. Katër fotografi do të printohen menjëherë – një për kartën tuaj të votimit dhe tri të tjera për “të dhënat” e tyre.

Prisni me durim për 10 ose 15 minuta dhe pas kësaj kohe një burrë i ri do t’ju kërkojë të shkoni pranë tavolinës së tij, për t’iu shtruar disa pyetje.

“Emri?”

“Mosha?”

“Emri i babait?”

“Emri i gjyshit?”

“A është kjo karta juaj e parë e votimit?”

Nënshkruani kartën tuaj dhe prisni pak minuta.

“Mos harroni të votoni”, do t’ju thotë menaxheri i buzëqeshur derisa largoheni nga qendra me kartën valide të votimit, që t’ju mundësojë të hidhni votën – apo votat – dhe të përcaktoni presidentin e ardhshëm të Afganistanit.

Nuk ju kërkohet dëshmi as për emrin, as për moshën, as për adresën, as për shtetësinë.

Nëse ju pyesin për kartën e identifikimit, vetëm u thoni se nuk e keni, e keni humbur ose e keni harruar në shtëpi.

Kjo është mënyra se si kam marrë kartën e votimit më 31 mars në lagjen e Kabulit, Shah Shahed.

Nuk ka qenë fare e rëndësishme që unë jam shtetas i Australisë. (Megjithatë, vendi im i lindjes është Kabuli). Nuk ka qenë i rëndësishëm as fakti se unë nuk kam jetuar në Afganistan për më shumë se 22 vjet.

Nëse keni nevojë për më shumë karta të votuesve, vetëm ndiqni këto udhëzime.

Tani, vetëm duhet të gjej përgjigje në pyetjen që më bëjnë të gjithë kolegët: Për kë do të votosh? (v.tela)
XS
SM
MD
LG