Ndërlidhjet

Meta: Dihet botërisht se kush bëri gjenocid në Kosovë


Ilir Meta
Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka deklaruar të premten në Prishtinë se lufta çlirimtare e Kosovës nuk do të mund të njolloset.

Këto komente, ai i ka bërë pas takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Duke komentuar çështjet që kanë të bëjnë me Tribunalin për krimet e luftës i cili pritet të themelohet në Kosovë, Meta ka thënë se dihet botërisht se kush ka bërë gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.

"Sa i takon luftës së popullit të Kosovës dihet botërisht që populli i Kosovës nuk ka sulmuar askënd, dihet botërisht që ata që ushtruan gjenocid në Bosnje, Kroaci ushtruan gjenocid edhe në Kosovë", ka thënë Meta.

Sipas tij, më 16 prill do përkujtohet në Kukës, 15 vjetori i eksodit të madh të afërsisht një milionë qytetarëve të Kosovës në Shqipëri, për shkak të, siç ka thënë ai, gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Sllobodan Milloseviqit.

"Andaj, mendoj se çdo përpjekje për të vënë në diskutim legjitimitetin e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së është i pavend dhe është i kaluar në kohë", ka thënë Meta.

Gjatë kësaj vizite, Meta është takuar edhe me kryeministrin Hashim Thaçi dhe përfaqësues tjerë politik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG