Ndërlidhjet

SHBA - Ukrainë: Biden bisedoi me Yatsenyuk


Joe Biden
Joe Biden
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar me telefon me kryeministrin e Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, para marrëveshjes preliminare të Kievit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në njoftimin e mbrëmshëm të Shtëpisë së Bardhë, thuhet se zoti Biden “ka shprehur mbështetje për finalizimin e marrëveshjes sa më shpejtë që të jetë e mundshme”.

Të enjten, presidenti amerikan, Barack Obama, e ka nënshkruar legjislacionin me të cilin Ukrainës i lejohet ndihmë në vlerë prej 1 miliard dollarësh.

FMN ka premtuar muajin e kaluar një kredi prej 18 miliardë dollarësh për Ukrainën, së cilës i mungojnë paratë e gatshme.

Por, dhënia e kredisë kërkon edhe reforma strukturore, për të cilat Ukraina është shprehur e përkushtuar për t’i ndërmarrë.

Pritet që kjo kredi do ta ndihmojë Kievin për ripërtritjen e ekonomisë e cila ishte përkeqësuar pas protestave tre muajshe kundër qeverisë dhe aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

Në bisedën telefonike mbrëmë vonë, zëvendës presidenti amerikan, Joe Biden, poashtu, ka “theksuar rëndësinë e përmirësimit të sigurisë energjetike të Ukrainës” dhe tha se i ka mirëpritur “përgatitjet për zgjedhje të lira dhe korrekte” presidenciale më 25 maj.
XS
SM
MD
LG