Ndërlidhjet

Rrëmbimi i vëzhguesve, shton tensionet Uashington – Moskë


John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov (Foto nga arkivi)
John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov (Foto nga arkivi)
Po shtohen tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, lidhur me rrëmbimin e vëzhguesve ndërkombëtarë nga ana e separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë folur të shtunën vonë me telefon, por dështuan të arrijnë ndonjë marrëveshje.

Kerry ka kërkuar nga Moska për t’i mbështetur përpjekjet për lirimin e vëzhguesve ushtarakë, të cilët e përfaqësojnë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Por, Lavrov ka kërkuar që Uashingtoni ta shfrytëzoj ndikimin e vet për lirimin e liderëve separatistë pro-rusë, që janë arrestuar nga autoritetet e Ukrainës në Kiev.

Nga ana tjetër, prefekti i vetëshpallur i qytetit Sllovjansk, në pjesën lindore të Ukrainës, Vyacheslav Ponomaryov, ka thënë se ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë i OSBE-së, që mbahen të rrëmbyer nga njerëzit e tij, janë të burgosur të luftës.

Ai para një numri të vogël të gazetarëve, ka deklaruar se “në qytetin tonë, ku është situatë lufte, çfarëdo personeli ushtarak, i cili nuk e ka lejen tonë, konsiderohet i burgosur i luftës”.

Ponomaryov është shprehur se ata janë spiunë.

“Kam dëgjuar, kam raporte se atje ishte dikush nga selitë ushtarake. Kjo tashmë nuk duket mirë. Njerëzit që vijnë këtu si vëzhgues nga Evropa sjellin spiunim real me ta. Ky është një shembull i politikës së standardeve të dyfishta”, ka theksuar Ponomaryov.

Ai ka shtuar se vëzhguesit e burgosur të OSBE-së “janë mirë”.

Por, në Kiev, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës thotë se një anëtar i misionit observues po mbahet në “kushte jonjerëzore” dhe ka nevojë urgjente për kujdes mjekësor.

Monitoruesit e OSBE-së, katër gjermanë, një suedez, një polak, një holandez dhe një çek, janë rrëmbyer më 25 prill dhe Ponomaryov kishte thënë disa herë se ata do të këmbeheshin për militantët pro-rusë, të cilët mbahen të arrestuar nga autoritetet e Ukrainës në Kiev.

Gjatë një vizite në Romë, kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyk, i ka akuzuar rrëmbyesit se janë “terroristë”.

“Kjo është provë dhe dëshmi se këta të ashtuquajtur protestues paqësorë me kartela ruse të identifikimit, janë terroristë të vërtetë, që i burgosin dhe i rrëmbejnë vëzhguesit e OSBE-së. Kjo është e pabesueshme, e papranueshme dhe indinjuese. Megjithëkëtë, autoritetet e Rusisë kurrë nuk i dënojnë këta terroristë dhe kjo është shenjë e qartë se regjimi rus i mbështet këta gangsterë, keqbërës dhe kriminelë”, ka deklaruar Yatsenyuk.

Ai ka theksuar se aksionet e Rusisë kanë për qëllim ta shkatërrojnë sigurinë globale.

“Është e qartë se agresioni rus ka për qëllim ta shkatërroj sigurinë globale dhe stabilitetin global, për t’i rishkruar linjat dhe për t’i rishqyrtuar konsekuencat e Luftës së Dytë Botërore”, është shprehur Yatsenyuk.

Kandidatja për presidente të Ukrainës, Yulia Tymoshenko, njëherësh ish-kryeministre e këtij vendi, e cila ishte e burgosur gjatë periudhës së presidentit të përmbysur, Viktor Yanukovich, konsideron se Ukraina duhet të jetë e fortë për ta detyruar agresorin të tërhiqet.

“Nëse Rusia vazhdon me agresionin e saj dhe nuk u nënshtrohet vendimeve të arritura gjatë negociatave, përfshirë edhe bisedimet në Gjenevë, Ukraina duhet të jetë e fortë dhe duhet ta zmbraps invaduesin, në mënyrë që ai kurrë të mos ketë përsëri plane të tilla dhe synime”, ka thënë Yulia Tymoshenko. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG