Ndërlidhjet

Baraliu: Mosreformimi i Ligjit për zgjedhje, mund të paraqesë probleme


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se KQZ-ja gjendet para një sfide të madhe për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Baraliu, presidentja e vendit ka dekretuar tashmë datën 8 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. A mendoni që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të arrijë të përgatitet me kohë për këtë proces?

MAZLLUM BARALIU
Koha është shumë e shkurtër. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, megjithatë, ka për obligim në bazë të detyrës dhe pozitës kushtetuese që ka, të bëjë përgatitje të vazhdueshme për çdo proces elektoral, pa dallim të situatave që mund të vijnë - edhe të jashtëzakonshme, edhe të parakohshme, siç është kjo kur janë shpallur zgjedhjet, por sigurisht që do të bëjë maksimumin e mundur.

KQZ-ja do të duhej të kishte një mobilizim të plotë. Jo vetëm KQZ-ja, por edhe Komisionet Komunale Zgjedhore, po edhe trupat tjerë punues deri tek institucionet përkatëse kompetente, të cilat janë të obliguara që të kryejnë detyrat e tyre lidhur me një proces elektoral siç do të jetë ky i zgjedhjeve të përgjithshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se këto zgjedhje të jashtëzakonshme kanë një kohë të shkurtër për t’u përgatitur. Ku mendoni se do të jenë sfidat më të mëdha për KQZ-në?

MAZLLUM BARALIU

Jo vetëm për KQZ-në, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit, aktorët dhe faktorët relevantë, për këto zgjedhje sfida kryesore do të mund të ishte legjislacioni i pareformuar zgjedhor, sistemi zgjedhor dhe procesi elektoral, për arsye se nuk ndodhi reforma. Kjo ishte për të ardhur keq dhe një dështim i klasës politike të Kosovës dhe institucioneve të vendit, të cilat nuk mundën për gati tre vjet të përfundojnë një iniciativë që e kishin iniciuar dhe që ishte më se e domosdoshme dhe u vlerësua si e domosdoshme - si emergjente dhe imediate, për t’u bërë, për t’u zhvilluar, pra, reforma - edhe nga faktorët e brendshëm, edhe nga ata të jashtëm.

Prandaj, është thjesht për të ardhur keq që kjo nuk ka ndodhur. Në këtë segment do të mund të kishte probleme, edhe në procesin elektoral, për arsye se edhe koha është shumë e shkurtër. Afatet në këto raste të zgjedhjeve të parakohshme, ose siç quhen ndryshe edhe të jashtëzakonshme, duhet shkurtuar të gjitha (afatet) në kuadër të operacionit të zgjedhjeve, gjegjësisht planit operacional. Të gjitha këto, në fakt, ndikojnë në një sukses, në një rezultat të mirëfilltë të një procesi elektoral.

Për shembull të marrim çështjen e informimit të qytetarëve, sidomos të kategorive të ndryshme, të cilat janë tepër të rëndësishme për t’u informuar me prioritet dhe për të prodhuar pastaj efekt pozitiv të shtrirjes së informacionit dhe vetëdijesimit.

Pastaj është fjala edhe për informimin publik përmes tenderëve të ndryshëm përmes të cilëve duhet të zhvillohen procedurat - përsëri s’ka kohë. Kemi pastaj çështjen e trajnimit të përgatitjes së trupave punues - janë çështje për të cilat duhet pasur kohë dhe hapësirë.

KQZ-ja, me sa jam unë i njoftuar, nuk ka bërë ndonjë hap serioz deri tani në këtë aspekt dhe do të duhej bërë këto operacione - veprimet e trajnimit shumë shpejt, pastaj botimi i materialeve të ndryshme, por edhe projekteve të ndryshme të informimit, vetëdijesimit të periudhës së sfidimit të informimit të diasporës. Kësaj radhe nuk do të duhej në asnjë mënyrë dhe nuk do të na lejohej askujt, as klasës politike, as shoqërisë civile, as institucioneve, që diaspora të mbetet siç mbeti herën e kaluar ku kishim fare pak njerëz, të cilëve iu mundësua të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Edhe në zgjedhjet nacionale numri i pjesëmarrësve ka qenë simbolik. Në fakt, ata janë qytetarët tanë dhe nëse janë në regjistër dhe kanë të drejtë për të votuar, atëherë do të duhej mundësuar atyre në shumë mënyra. Tashmë i kemi ambasadat, konsullatat dhe kemi shumëçka që do të duhej involvuar në këtë proces për t’iu mundësuar atyre njerëzve që të marrin pjesë dhe të ketë një përqindje më të madhe që procesi të ketë legjitimitet më shumë dhe që të ketë gjithsesi edhe një sovranizim, të themi, të procesit elektoral më të lartë.

Është njëra prej sfidave, që do të thosha do ta sfidojë edhe KQZ-në dhe të gjithë neve. Tashmë në këtë ngërç kohor në këtë shtrëngim kohe, gjegjësisht të veprimeve që duhet t’i ndërmarrë me shpejtësi dhe nën presion të kohës KQZ-ja, sigurisht se mund të reflektohen në procesin elektoral, edhe në pritshmërinë, po edhe pranueshmërinë e këtyre zgjedhjeve nga subjektet politike, po edhe nga faktorë të tjerë vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë – qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga institucionet evropiane dhe të tjera ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se organizimi i këtyre zgjedhjeve në veri të Kosovës do të ketë vështirësi?

MAZLLUM BARALIU

Nuk do të duhej pritur në asnjë mënyrë, për arsye se tashmë do të duhej pritur një shtensionim të gjendjes atje, sepse një proces i zgjedhjeve lokale ishte si ishte dhe kaloi atje. Unë mendoj se qytetarët e komunitetit pakicë atje do të duhej të ishin më të vetëdijesuar kësaj radhe dhe më të orientuar drejt, sepse ata janë qytetarë të barabartë të këtij shteti, janë pranuar mirë dhe kanë të gjitha mundësitë dhe të drejtat që të shprehin vullnetin e tyre.

Shprehja e vullnetit të tyre drejtpërdrejt, kësaj radhe, pa ato shtrëngimet dhe presionet e Beogradit, (presionet e Beogradit) nuk do të duhej të ishin tashmë pas bisedave të zhvilluara në Bruksel, por ata do të duhej të votonin, të merrnin pjesë masivisht në këto zgjedhje. Ky do të ishte interesi i tyre parësor dhe thjesht të marrin pjesë në institucione pastaj, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, sikurse qytetarët tjerë, për arsye se zgjidhja tjetër nuk ekziston. Zgjidhja më e mirë është kjo që në shtetin e tyre dhe tonin të përbashkët, i kanë të gjitha mundësitë dhe të drejtat që të marrin pjesë aktive në zgjedhje dhe të marrin pjesë aktive pastaj në jetën demokratike dhe institucionale të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohësit e proceseve zgjedhore thonë se mosreformimi i Ligjit për Zgjedhje, mund të sjellë deri te problemet dhe manipulimi i votave. Ju si mendoni?

MAZLLUM BARALIU

Në radhë të parë mund të vijë deri te problemet në interpretim të dispozitave dhe në punën e aktivitetet e institucioneve siç është KQZ-ja, KZAP-i, gjykatat e ndryshme, të cilat do të duhej të merren me çështje të ndryshme ankimore të subjekteve politike në procesin zgjedhor.

Pajtohem me këtë konstatim të atyre që mendojnë kështu, sepse mund të pritet dhe mund të ketë, fatkeqësisht, por do të donim që thjesht të ketë një racionalitet, një sjellje edhe qytetëruese, edhe konsekuente, profesionale brenda ligjit të të gjithë aktorëve dhe faktorëve që janë përgjegjës për menaxhimin dhe organizimin e këtyre zgjedhjeve, dhe rezultatet pastaj, në mënyrë që të kemi një proces elektoral edhe demokratik, edhe të ligjshëm, edhe fer dhe korrekt, sepse është një sukses tjetër i radhës që i duhet Kosovës.

Ky sukses i duhet vendit për t’u dëshmuar, për ta mbajtur ose të paktën ndoshta edhe për ta përmirësuar këtë imazh që e ka dhe për të pasur një kredibilitet më të madh sesa në zgjedhjet paraprake në relacion me proceset, në të cilat Kosova do të duhej të vazhdonte të jetë pjesë, ose të marrë pjesë. Këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që janë procese jashtëzakonisht të rëndësishme vlerësuese nga organet kompetente të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të bëjë hapa të tjerë të duhur në integrimet euro-atlantike, gjegjësisht në BE dhe NATO.
XS
SM
MD
LG