Ndërlidhjet

Foreign Policy: Vala e traumës në Siri


Siri...
Siri...
Revista Foreign Policy i ka hedhur një vështrim gjendjes mendore të sirianëve, në kohën kur vendi i tyre po kalon nëpër një konflikt shkatërrues.

Artikulli përshkruan një familje në një shtëpi refugjatësh në Aman të Jordanisë. Shtatë ose tetë djem dhe vajza me sy të trembur, nëna e tyre duke qarë me dënesë teksa flet për masakrat dhe anëtarët e zhdukur të familjes, ndërsa babai i ulur në heshtje, në një dhomë pranë, duke u lutur.

Një tjetër pamje trishtuese përshkruhet në një spital në Kilis, qytet në Turqi, pranë kufirit me Sirinë. Një grua, 38 vjeçe, qëndron e shtrirë me plagë të rënda në kurriz. Eksplozivët që kanë rënë në shtëpinë e saj në Alepo nuk i kanë shkatërruar vetëm kurrizin, por edhe vajzën. Nëntëvjeçarja bjonde ka vdekur atë ditë. Dhimbja e vdekjes së saj pulson në sytë e së ëmës.

Pyetja se kur do të përfundojë lufta është gjithnjë e më e pranishme në mendjet e atyre që vuajnë. Por, gjithashtu edhe kujtimet e torturës, vrasjesve, përdhunimeve. Shumë kanë probleme fizike nga lëndimet në luftë, por më shumë kanë dëme të brendshme emocionale.

Vuajtjet e sirianëve kanë një efekt ujvarë, me asnjë zgjidhje të prekshme në horizont, shkruan Foreign Policy.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 3 deri në 4 për qind e popullsisë së prekur nga ndonjë emergjencë, e tillë si lufta në Siri, do të pësojë çrregullime të rënda të shëndetit mendor, të tilla si psikoza apo depresioni i rëndë. Organizata po ashtu thotë se 15 deri në 20 për qind e njerëzve në një emergjencë do të pësojnë ankth, depresion të butë ose çrregullim post-traumnatik.

Aktualisht, shkruan Foreign Policy, janë rreth nëntë milionë sirianë që kanë lënë shtëpitë e tyre, 2.7 milionë prej të cilëve ndodhen si refugjatë në Turqi, Jordani, Liban, Egjipt dhe Irak. Dhe natyrisht, janë miliona sirianë që vazhdojnë të vuajnë brenda vendit të tyre. Me një matematikë të thjeshtë, është lehtë të shihet se çfarë krize të shëndetit mendor ka shkaktuar kjo luftë.

Më 15 maj, Mjekët për të Drejtat e Njeriut kanë publikuar një hartë me informacione të plota për sulmet ndaj objekteve dhe personelit mjekësor në Siri.

Megjithatë, ajo nuk përfshin informacione për njerëzit që ofrojnë kujdes mendor në mënyrë specifike. Erin Gallagher, drejtor i emergjencave te Mjekët për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se organizata është e vetëdijshme për krizën e shëndetit mendor, porse nuk ka statistika për psikologët dhe punonjësit e tjerë.

Por, Gallgher ka thënë se është e qartë se ka shumë të rritur dhe fëmijë që vuajnë nga traumat, e që nuk marrin ndihmë.

Foreign Policy citon një punonjëse sociale të Asociacionit Siriano-Amerikan Mjekësor në Aman, të ketë thënë se “90 për qind e familjeve kanë trauma”.

Organizata, e cila përfshin psikologë dhe punonjës socialë, kryen vizita nëpër shtëpi për të ndihmuar qindra familje të reja që arrijnë çdo muaj. Ata thonë se fëmijët fshihen nën karrige kur kalon një aeroplan.

“Ata janë të frikësuar, por nuk e thonë pse. Ata nuk mund t’iu përshtaten rrethanave të reja dhe janë të dëshpëruar”, thonë punonjësit socialë.

Yasser Kanawatti, psikiatre në Asociacionin Siriano-Amerikan Mjekësor, zyra në Aman, thotë se stafi përpiqet t’iu ofrojë siguri. Sipas saj, janë kryesisht fëmijët ata që shfaqin trauma, agresivitet apo ankthe.

Por, ajo që e bën situatën edhe më të vështirë është tabuja përreth shëndetit mendor në rajon, shkraun Foreign Policy. Kanaeati e di këtë shumë mirë. Kur ajo ka marrë diplomën mjekësore në vitet 1980 në Siri dhe u ka thënë njerëzve së shkon në psikiatri, “të gjithë kanë qeshur” me të.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG