Ndërlidhjet

New York Times: Mirazhi i Islamit politik


Ilustrim
Ilustrim
“Ju duhet të mbani pushtetin me pëlqim, jo detyrim; duhet të respektoni të drejtat e minoriteteve dhe të praktikoni frymën e tolerancës dhe të kompromisit; duhet të vendosni interesat e popullit tuaj dhe funksionimin e ligjshëm të procesit politik mbi partinë tuaj. Pa këto elemente, vetëm zgjedhjet nuk e bëjnë dot demokracinë e vërtetë”.

Gazeta New York Times kujton këtë deklaratë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, të bërë pesë vjet më parë në Kajro.

Me këtë fjalim, Obama ka bërë përpjekje të rehabilitojë Islamin dhe qytetërimin islamik në sytë e botës, si dhe të shpaguajë Amerikën në sytë e komunitetit mysliman në botë, pas luftërave në Irak dhe Afganistan.

Gazeta shkruan se fjalimi në Kajro ka qenë pjesë e planit, i cili bazohej në këshillën e raportit të vitit 2008 “Ndryshimi i Drejtimit: Një drejtim i ri për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane”.

Ky raport është hartuar nga një grup i ish-zyrtarëve qeveritarë, edhe demokratë, edhe republikanë, si dhe nga dijetarë, analistë politikë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas gazetës, të gjithë kanë qenë të shqetësuar për ndarjen midis Amerikës dhe botës myslimane dhe ata kanë vendosur që presidenti i ri të mbajë një fjalim madhor në një kryeqytet të rëndësishëm islamik – Kajro, Stamboll, Xhakartë ose Rabat – duke iu adresuar drejtpërdrejt botës myslimane. Dhe këtë, presidenti Obama e ka bërë më 4 qershor të vitit 2009 në Universitetin e Kajros.

Që nga ajo kohë, Egjipti ka përjetuar “Pranverën Arabe”, për të pasuar me ardhjen në pushtet të Vëllazërisë Myslimane dhe pastaj rënien e saj.

Nëse mesazhi i zotit Obama do të përciellej më fuqishëm te ish-presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, para se ai të përmbysej nga ushtria korrikun e kaluar, shpresat e arabëve dhe myslimanëve në gjithë botën, pas fjalimit në Kajro, nuk do të ishin kaq të zhgënjyera siç janë sot, shkruan NYT.

Mjerisht, secili “përbërës” i demokracisë, që ka listuar zoti Obama, është shkelur nga zoti Morsi gjatë vitit të tij të trazuar në detyrë.

Ai ka detyruar miratimin e Kështetutës së Vëllazërisë Myslimane më 2012, ka lëshuar dekrete që e kanë vënë atë mbi gjyqësorin, ka dështuar të sigurojë mbrojtje për të krishterët koptë, ka nisur hakmarrje ndaj gazetarëve dhe aktivistëve dhe ka trajtuar opozitën laike si armike që duhet përjashtuar nga jeta politike.

Me pak fjalë, presidenti i Egjiptit ka çuar përpara qëllimet politike të Vëllazërisë Myslimane, në kurriz të kombit, ndryshe nga paralajmërimet e presidentit Obama.

Por, nëse administrata Obama do të ishte më kritike ndaj shkeljeve të të drejtave demokratike nga Vëllazëria Myslimane, ajo do të mund ta shmangte këtë situatë, shkruan gazeta.

Në vend të kësaj, kur është pyetur për dekretin e Morsit, që i ka dhënë regjimit kompetenca të jashtëzakonshme, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit është përgjigjur duke thënë se “ky është një proces politik i Egjipit”.

Obama mund të ketë thënë se vetëm zgjedhjet nuk e përbëjnë demokracinë, por Amerika ka vepruar sikur zgjedhjet në Egjipt kanë qenë të mjaftueshme.

Në Tunizi, shkruan gazeta, administrata Obama ka pasur një qëndrim të ngjashëm ndaj Ennahdas, në atë kohë partisë qeverisëse, pavarësisht dyshimeve për lidhje të saj me ekstremistë të dyshuar.

Pasi Ambasada e SHBA-së në Tunis është sulmuar nga bashkëpunëtorë salafistë të Ennahdas, në shtator të vitit 2012, mediat tuniziane kanë zbuluar se lideri i Ennahdas, Rachid al-Ghannouchi, është takuar paraprakisht me aktivistët salafistë dhe i ka këshilluar ata në strategjinë politike.

Para se të kthehej nga mërgimi në Tunizi, në vitin 2011, Ghannouchi lavdërohej në Londër dhe në Uashington si një demokrat mysliman.

Gjatë dekadave të diktaturës në botën arabe, islamistët politikë e kanë tregtuar veten në Perëndim si lëvizje të moderuara që duan të pajtojnë Islamin me demokracinë. Në realitet, ata kanë qenë ithtarë të një ideologjie mesianike, në të cilën parim themelor është zbatimi i vullnetit të Zotit në tokë, shkruan gazeta.

Ekipi i Obamës, derisa është përgatitur të përfundojë luftërat e administratës së Bushit, e ka ndjerë nevojën për miq në botën arabe, por ai ka rënë në pabesinë e Islamit “të moderuar” politik, shkruan New York Times.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG