Shtëpia e Bardhë ka mirëpritur vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’iu bërë thirrje ligjvënësve rusë që të tërheqin autorizimin për të pushtuar Ukrainën.
Megjithatë, zëdhënësi Josh Earnest ka thënë se Uashingtoni, i cili ka kërcënuar Moskën me sanksione të mëtejshme, do që të shohë prova të qarta të ndryshimit të sjelljes së Rusisë.
Putin ka kërkuar sot nga Këshilli i Federatës që të tërheqë autorizimin që ka dhënë për forcat ushtarake për të ndërhyrë në Ukrainë.
Agjencia Interfax citon një senator të lartë rus të ketë thënë se rezoluta do të tërhiqet më 25 qershor.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka thënë se kërkesa është bërë me qëllim të normalizimit të atmosferës dhe zgjidhjes së situatës në rajonet lindore të Ukrainës.