Ndërlidhjet

Prishtina e Beogradi me grup punues për situatën në Mitrovicë


Përfaqësuesit e Kosovës dhe Beogradit biseduan pa ndonjë rezultat në Bruksel për zgjidhjen e situatës në zonën përgjatë lumit Ibër, në Mitrovicë.

Zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, njofton se palët janë pajtuar që të formojnë një grup punues që do të takohet më 22 korrik në Bruksel për të diskutuar situatën.

Në një deklaratë për medie, u bëhet thirrje palëve që “që të përmbahen nga çdo veprim në apo afër urës kryesore apo urave të tjera pa marrëveshje paraprake”.

Ndërtimi i sheshit “Mbreti Lazar” i cili prek cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër, që ka nisur ditën e mërkurë, me vendimin e organeve komunale të Mitrovicës së veriut, ka nxitur si kundërpërgjigje, vendosjen e një cilindri të betonit me diametër 1.5 metra, në udhëkryqin kryesor në Lagjen e Boshnjakëve nga banorët shqiptarë, duke e emërtuar atë Sheshi “Adem Jashari”. Ndërkohë, në fshatin Suhadoll, po në veri, është ngritur edhe një shesh tjetër me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Takimi i të premtes, ndërmjet zëvendëskryeministres në largim të Kosovës, Edita Tahiri dhe shefit të zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, u tha se ishte përshkuar me shumë tensione.

BE-ja ka kërkuar që palët të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë në pajtim me marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe në frymën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG