Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas hetimeve intensive disamujore, në rajonin e Pejës, ka ndërmarrë një operacion lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi që merrej me kontrabandim të migrantëve për në shtetet perëndimore.
Policia e Kosovës njofton me anë të një komunikate se, operacioni është zhvilluar në lokacionet si Pejë, Gjakovë dhe Deçan.
“Ky grup i të dyshuarve në vazhdimësi kryente veprimtarinë penale të ‘kontrabandimit të migrantëve’ dhe ‘falsifikimin e dokumenteve’ të udhëtimit, duke përdorur metoda të ndryshme në bashkëpunim edhe me të dyshuar nga Serbia, duke ua rrezikuar në këtë mënyrë jetën qytetarëve kosovarë, me qëllimin e vetëm përfitimin material të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatën e policisë.
Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.