Ndërlidhjet

Gaza: Izraelitët sulmojnë nga ajri, palestinezët hedhin raketa


Pamje nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës
Pamje nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

Izraeli i ka lansuar më tepër se 20 sulme ajrore në Rripin e Gazës, sot herët në mëngjes, ndërsa militantët i kanë hedhur disa raketa në territorin e Izraelit, në ditën e dytë të dhunës, prej se dështuan përpjekjet për zgjerimin e armëpushimit triditësh të ndërmjetësuar nga Egjipti.

Dëshmitarët dhe zyrtarët palestinezë thanë se pesë vetë janë vrarë dhe më se 30 të tjerë janë plagosur në sulmet gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtria izraelite ka njoftuar se prej mesnatës i ka sulmuar më tepër se 20 caqe në Gaza, pa dhënë shpjegime të tjera.

Një zëdhënës ushtarak tha se militantët palestinezë nga Gaza i kanë hedhur katër raketa në vendbanimet në pjesën jugore të Izraelit, sot herët në mëngjes, por nuk ka pasur dëme ose viktima në njerëz.

Armëpushimi 72 orësh, me të cilin ishin ndalur luftimet ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, që qeveriset nga Hamasi, ka përfunduar dje, pasi palët ende janë shumë larg njëra-tjetrës për kushtet e arritjes së ndonjë marrëveshjeje të re.

Zyrtarët në Rripin e Gazës thonë se nga konflikti njëmujor janë vrarë së paku 1880 palestinezë, shumica prej tyre civilë.

Izraeli thotë se 64 ushtarë dhe tre civilë janë vrarë deri tash.

XS
SM
MD
LG