Ndërlidhjet

Obama: Tani është koha për paqe dhe qetësi në Missouri


Presidenti amerikan Barack Obama
Presidenti amerikan Barack Obama

Presidenti amerikan Barack Obama, të enjten bëri thirrje për paqe në rrugët e Ferguson, Missouri, pas vrasjes së një të riu nga ana e një polici.

Obama u ka kërkuar autoriteteve që të bejnë hetime të duhura dhe transparente.

"Tani është koha për qetësi. Tani është koha për paqe dhe qetësi në rrugët e Ferguson", u tha Obama gazetarëve në Martha's Vineyard, ku ai është duke i bërë pushimet me familjen e tij.

"Tani është koha për një proces të hapur dhe transparent për të parë se drejtësia është duke u bërë", tha Obama.

Obama ka thënë po ashtu, se i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm që të raportojë për rastin në ditët në vijim.

Banorët zezakë të qytetit Ferguson kanë protestuar për katër netë me radhë lidhur me vrasjen e të riut 18 vjeçar, Michael Brown, nga një oficer policie, më 9 gusht.

Afro 40 njerëz janë arrestuar gjatë protestave.

Policia tha se Brown ishte përleshur me policin në veturën policore, por dëshmitarët kanë thënë se Brown i paarmatosur ishte qëlluar disa herë, derisa largohej nga polici.

Zyrtarët e kanë supsenduar policin, i cili e ka qëlluar të riun Broën, por kanë refuzuar ta zbulojnë emrin e tij, për shkak të kërcënimeve fizike ndaj tij.

XS
SM
MD
LG