Ndërlidhjet

Lufta mëkatare


Numri i të rinjve britanikë që luftojnë si xhihadistë në Lindjen e Mesme, tani tejkalon numrin e myslimanëve që shërbejnë në ushtrinë britanike, shkruan gazeta Times.

E njëjta vlerëson se ky kalkulim shqetësues nxjerr në pah faktin se Britania është e sfiduar në dy fronte. Ajo është e përfshirë gjithnjë e më shumë në luftën kundër Shtetit Islamik që është tërbuar në Irak dhe Siri dhe ndodhet përballë një grupi të luftëtarëve të vetëshpallur të shenjtë, që janë edukuar në Britani, por që refuzojnë legjitimitetin e shtetit britanik.

Nga frika që të mos çrregullojë ekuilibrin delikat multikulturor, Britania i ka lejuar vetes që të bëhet eksportuese e terrorit. Eksodi i xhihadistëve britanikë në Siri dhe Irak shkon nga 500 deri në 1,500, shifër kjo më e lartë se në çdo vend tjetër evropian. Nëse kthehen, shumë prej tyre do të kenë përvojë në bërjen e bombave dhe vrasje, shkruan Times.

Për më tepër, sipas gazetës, prania e tyre në një kontingjent lufte dhe lehtësia e udhëtimit të tyre nga aeroportet britanike për në Turqi, sugjerojnë se Britania po humb kontrollin.

Times kujton se luftëtarët britanikë kanë shkuar në Bosnjë në vitet 1990, të zemëruar se qeveria nuk po bën sa duhet për të parandaluar vrasjet e myslimanëve nga milicitë serbe. Lufta në Siri, e cila ka kushtuar me jetën e më shumë se 190,000 myslimanëve, ka pasur një efekt edhe më të madh. Ajo ka inkurajuar brezin e ri të besojë se ngurrimi britanik për të përdorur forcën kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, i ka çuar myslimanët sunitë në një fat të mjerueshëm.

Në anën tjetër, qindra ushtarë britanikë kanë vdekur në Afganistan duke luftuar për një shoqëri moderne dhe tolerante islamike. Por, edhe kjo është kundërshtuar nga kritikët myslimanë në Britani.

As ndërhyrja në Lindjen e Mesme, as qëndrimi jashtë përleshjeve nuk është i mjaftueshëm për të lehtësuar zemërimin e atyre që pretendojnë të bëhen xhihadistë. Kjo ka shkaktuar konfuzion në qeveri dhe ai duhet të zhduket, shkruan gazeta Times.

Sipas saj, Shteti Islamik mund të kufizohet me kontrolle më të forta kufitare. Kjo nënkupton kontakte më të ngushta diplomatike me Turqinë për të siguruar ndalimin dhe kthimin e xhihadistëve në transit.

Pasaportat e luftëtarëve të dyshuar duhet të konfiskohen. Task-forca kundër ekstremizmit, e ngritur nga qeveria britanike, jep sugjerime të ndjeshme, por shumica e tyre nuk zbatohen.

Aktivitetet e predikuesve ekstremistë duhet të kontrollohen, nëse është e nevojshme edhe me urdhra për burgim. Ligjet ekzistuese kundër gjuhës së urrejtjes duhet të përdoren më shpesh, vlerëson Times.

Megjithatë, i takon komuniteti mysliman për të identifikuar, raportuar dhe dekurajuar të rinjtë që kërkojnë martirizmin. Është në duart e myslimanëve britanikë që të bëhen aktivistë civilë dhe të bëjnë fushatë në xhami dhe në shkolla për një shoqëri tolerante, e jo të keq-udhëzojnë të rinjtë në beteja, shkruan gazeta Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG