Ndërlidhjet

Jahjaga: Ballkani ngadalë po dëshmon vullnet për bashkëpunim


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë fjalimit të sotëm në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ka theksuar se Ballkani po provon ta ndryshoj perceptimin e botës ndaj tij.

Mëtutje, ajo është shprehur se “përtej dhunës dhe hegjemonive, rrënimeve e shkatërrimeve të jetëve të njerëzve, përtej hasmërive të vjetra dhe mosdurimit ndaj njëri-tjetrit, sot rajoni i Ballkanit Perëndimor, sado ngadalë, po dëshmon vullnetin për bashkëpunim dhe bashkëjetesë, që çon drejt përmbylljes së proceseve të integrimit euroatlantik”, thuhet në faqen në Internet të presidencës së Kosovës.

Sipas saj, kjo bashkëjetesë nënkupton pajtim, ndërmjet njerëzve, që njëri-tjetrin e kanë parë me dyshime.

“Pajtim të drejtë dhe të plotë – me drejtësinë që do të vihet në vend, për të shëruar shpirtrat e të gjitha atyre viktimave të luftërave të përgjakshme – posaçërisht për gratë e përdhunuara dhe për familjet e atyre, që sot ende janë të zhdukur”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke folur në Forumin Evropian në Alpbach në Austri.

Duke folur për synimet e Kosovës, ajo theksoi se ajo “është pjesë e përpjekjes së përbashkët të rajonit për integrim në Bashkimin Evropian” dhe ka konstatuar se “projekti i BE-së ka kuptim të plotë vetëm atëherë kur të përmbyllet me anëtarësimin e të gjitha vendeve tona në familjen evropiane, si të barabarta dhe në bashkëpunim e pajtim me njëra-tjetrën”.

XS
SM
MD
LG