Bordi i Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG) në Shtetet e Bashkuara, fuqishëm e ka dënuar vrasjen e raportuar me heqje koke të gazetarit amerikan, Steven Joel Stoloff, nga grupi ekstremist Shteti islamik, dhe kërcënimin për ta vrarë të rrëmbyerin tjetër, David Cawthorne Haines.
“Rrëmbimi dhe vrasjet e gazetarëve, Steven Sotloff dhe James Foley, ishin akte barbare dhe të neveritshme të dhunës kundër amerikanëve të pafajshëm, të cilët ishin duke raportuar nga Siria”, tha Jeff Shell, kryesues i BBG, dhe ka shtuar se “vrasja e gazetarëve nuk do ta heshtë të vërtetën për atë që po ndodhë tash nga ana e Shtetit Islamik dhe se beteja informative nuk duhet të bëhet duke luftuar kundër jetëve të pafajshme”.
Mëtutje, në njoftimin e BBG-së, theksohet se këto video ishin publikuar dy vite pasi reporteri i Televizionit Alhurra, Bashar Fahmi, është zhdukur në Alepo të Sirisë.
Prej atëherë, nuk ka pasur asnjë lajm lidhur me vendin se ku ndodhet ose për shëndetin e tij.
Zoti Shell i ka përsëritur thirrjet e BBG-së, që secili që ka ndonjë informacion lidhur me gazetarin Fahmi të paraqitet.