Ndërlidhjet

SHBA: Nuk konfirmohet komploti i zbuluar në Irak


Pamje e Shtëpisë së Bardhë në Uashington
Pamje e Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Duke u shprehur për komplotin e zbuluar nga inteligjenca e Irakut për sulme në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë tha se “nuk e kemi konfirmuar një komplot të tillë”.

Po ashtu, ky informacion nuk ka mundur të verifikohet menjëherë nga autoritetet e Francës.

Sot më herët gjatë ditës, kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, tha se një operacion i inteligjencës në vendin e tij e ka zbuluar një plan për sulm të menjëhershëm në sistemet e metrosë në Paris dhe në Shtetet e Bashkuara.

Duke folur në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zoti al-Abadi tha se ai ishte informuar për këtë komplot gjatë ditës së sotme.

Sipas tij, ky ishte komplot i militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik në Irak.

Aktualisht kundër caqeve të grupit militant, Shteti Islamik, në Irak dhe Siri, po ndërmerren sulme ajrore nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG