Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me shtetet tjera të koalicionit, kanë vazhduar me sulme të reja ndaj militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Siri dhe Irak.
Të premtën, forcat e këtij koalicioni, kanë shkatërruar katër tanke të militanteve të IS, në Siri si dhe disa makina të tyre, në Irak, ka njoftuar Pentagoni i Shteteve të Bashkuara.
Po ashtu, janë bombarduar disa objekte të naftës në Siri, të cilat kanë qenë bazë kryesore për financimin e xhihadistëve.
Sipas disa ekspertëve, nga shitja e naftës në tregun e zi, militantët e IS, fitojnë prej 1 deri në 3 milion dollarë brenda një dite.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat udhëheqin koalicionin ndërkombëtar, kanë paralajmëruar se grupet e tilla ekstremiste, do të përpiqen që të sulmojnë edhe SHBA-në.
“Logjika thotë, se nëse qëllimi i tyre është të bëhen lider të xhihadit në tërë botën, nuk mund ta bësh një gjë të tillë pa e goditur Amerikën”, ka thënë drejtori i FBI të SHBA-së, James Comey.