Ndërlidhjet

Obama: Inteligjenca amerikane i ka nënçmuar militantët në Siri


Presidenti Barack Obama gjatë një interviste të mëparshme në rrjetin CBS

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, fillimisht i kishin nënçmuar aktivitetet e militantëve të Shtetit Islamik brenda Sirisë.

Gjatë intervistës së tij për rrjetin televiziv CBS, zoti Obama tha se “kaosi në luftën civile” në Siri u ka lejuar militantëve që të krijojnë avantazh.

“Gjatë disa viteve të kaluara, në kaosin e luftës civile siriane, ku ju esencialisht keni territore të mëdha të vendit, krejtësisht të paqeverisura, ish-luftëtarët e al-Kaidës ishin në gjendje të ripërtrihen dhe të krijonin avantazh nga ai kaos”, tha Barack Obama, dhe ka shtuar se Shtetet e Bashkuara e kishin mbiçmuar afëtsinë e ushtrisë së Irakut për t’i luftuar grupet militante.

Obama e ka cilësuar Sirinë si “terren zero për xhihadistët në gjithë botën”.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara i kanë zgjeruar sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve edhe në Siri. Më herët Uashingtoni i pat filluar sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve të Shtetit Islamik në Irak.

Militantë e Shtetit Islamik i kanë vrarë mijëra njerëz dhe qindra-mijëra të tjerë i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, derisa i kanë okupuar pjesë të gjëra të territoreve në Irak dhe Siri.

XS
SM
MD
LG