Ndërlidhjet

Dënim i fuqishëm ndërkombëtar i vrasjes së britanikut nga IS-i


Alan Henning me një fëmijë në një kamp të refugjatëve në kufirin ndërmjet Sirisë dhe Turqisë

Kryeministri britanik, David Cameron, e ka dënuar fuqishëm vrasjen e punëtorit humanitar, Alan Henning, duke thënë se ajo tregon se sa “barabarë dhe të neveritshëm” janë militantët e Shtetit Islamik (IS).

Ai, mëtutje, theksoi se Britania do të bëjë çdo gjë të mundshme “për t’i zënë këta vrasës dhe për t’i dërguar para drejtësisë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nëpërmjet një kumtese, tha se Amerika e dënon fuqishëm “vrasjen brutale” të britanikut, Alan Henning.

Zoti Obama ka theksuar se Henning kishte punuar për ta përmirësuar jetën e popullit në Siri dhe se vrasja e tij është edhe humbje për ta, për familjen e tij dhe për Britaninë.

Mëtutje, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se së bashku me Britaninë dhe aleatët e tjerë, Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’i hedhur para drejtësisë ata që janë përgjegjës për vrasjen e britanikut.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, është shprehur i tmerruar me këtë vrasje, duke u përkushtuar për ndihmë në gjetjen dhe sjelljen e autorëve të vrasjes para drejtësisë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara “e ka dënuar fuqishëm vrasjen e neveritshme dhe qyqare”.

Një video e publikuar mbrëmë në Internet e tregon një grup të militantëve të Shtetit Islamik duke e vrarë me prerje koke të rrëmbyerin britanik, Alan Henning, 47 vjeçar.

I ndjeri Henning, që ishte shofer dhe punëtor vullnetar humanitar, ishte zënë në Siri më 26 dhjetor të vitit të kaluar, pak kohë pasi e kishte kaluar kufirin nga Turqia.

XS
SM
MD
LG