Diplomatë të lartë takohen sot në Kajro për një konferencë që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës.
Së paku 100,000 njerëz në Gaza kanë humbur shtëpitë e tyre, gjatë konfliktit me Izraelin në muajt e verës.
Operacioni ushtarak i Izraelit ka vrarë afro 2,200 palestinezë, shumica nga ta civilë, ndërsa sulmet e militantëve të Gazës kanë vrarë 73 izraelitë, shumica ushtarë.
Konflikti ka zgjatur shtatë javë dhe ka përfunduar me një armëpushim më 26 gusht.
Qeveria palestineze ka kërkuar 4 miliardë dollarë fonde për rindërtimin e Gazës.
Në konferencë merr pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili do të takojë presidentin palestinez, Mahmud Abbas, në margjina të takimit.