Ndërlidhjet

Bushati: Serbët përdhosën kombëtaren shqiptare nga fillimi


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka folur për ngjarjet në Beograd, që përcollën ndeshjen ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe të Serbisë.

Duke treguar ngjarjen para deri pas ngjarjes, Bushati fillon të tregojë kur në ora 15.00, Ministria e Jashtme është vënë në dijeni nga Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçka mbi bllokimin në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit, të rreth 45 shtetasve shqiptarë, kryesisht gazetarë, sipërmarrës, njerëz publikë dhe të ftuar të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Menjëherë pas njoftimit u morën masat e nevojshme nga ana jonë për zgjidhjen e situatës. Lidhur me këtë incident, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë duke bërë me dije shqetësimin dhe qëndrimin tonë për situatën e krijuar”, thotë Bushati përmes një deklarate të lëshuar të mërkurën.

Më pas, në orën 20:45 në fillim të ndeshjes Serbi-Shqipëri në prani të autoriteteve më të larta të Shtetit serb, tifozët në stadium kanë përdhosur himnin kombëtar dhe simbolet e Shqipërisë shton ai.

“Turma prej mijëra tifozësh serbë shpërthyen në thirrje urrejtjeje dhe britma kërcënuese si, ‘Vritini shqiptaret’. Jo vetëm kaq, por tifozët serbë që ndodheshin poshtë tribunës VIP, ku ndodheshin personalitete të larta serbe dhe shqiptare, përsëritën të njëjtat thirrje të ulëta dhe gjeste tepër ofenduese në drejtim të të ftuarve shqiptarë”, shprehet ai.

Për fat të keq, tensioni në radhët e tifozëve i tejkaloi dimensionet e një ndeshje futbolli.

Pas hedhjes në mënyrë sistematike të sendeve të forta në fushë, është tërhequr me forcë nga lojtarët serbë, një banderole me imazhe kombëtare, gjë që ka shkaktuar reagimin e lojtareve shqiptar, thotë më tej në reaglimin e tij.

“Situata ka degraduar me ndërhyrjen e dhunshme të huliganëve serbë në fushë dhe ushtrimin e dhunës ndaj lojtarëve tanë. Gjithashtu pjesëtarë të stafit te sigurisë së stadiumit që kishin për detyrë garantimin e sigurisë, u përfshinë ne dhunën fizike kundër lojtarëve të kombëtares
sonë”.

E të gjitha këto nuk janë pretendime por fakte të evidentuara, që mbështeten në fotografitë dhe pamjet filmike të ndeshjes, shumë prej të cilave kanë bërë tashmë xhiron e botës, shton Bushati.

Më pas, Bushati flet për presionin psikologjik që i është bërë djemve të kombëtares, stafit teknik, gazetarëve dhe të ftuarve të FSHF-s, pas pezullimit të lojës.

“Por, pavarësisht provokimeve dhe situatës së nderë, si ekipi kombëtar ashtu edhe të gjithë shtetasit shqiptarë të pranishëm, dëshmuan vetëpërmbajtje dinjitoze dhe korrektësi për t’u përshëndetur”.

Bushati, tregon se pas rreth 3 ore bllokimi në stadium, u bë e mundur që falë angazhimit maksimal të autoriteteve më të larta qeveritare, ekipi kombëtar dhe të gjithë shtetasit shqiptarë, të niseshin drejt aeroportit të Beogradit për tu kthyer në Tiranë.

Në fund, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përmes këtij reagimi, fton autoritetet e UEFA-s që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për një hetim dhe një raportim të paanshëm duke dëshmuar se futbolli është arenë e miqësisë dhe e qytetarisë.

XS
SM
MD
LG