Ndërlidhjet

Serbia thotë se s’do të lejojë urrejtjen


Nga sulmi në një restoran të një shqiptari në Novi Sad.
Nga sulmi në një restoran të një shqiptari në Novi Sad.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Nikoliq, ka thënë se vendi i tij “nuk do të lejojë përhapjen e urrejtjes fetare dhe etnike”.

Ai ka paralajmëruar se të gjithë ata që shkatërrojnë pronat e shqiptarëve, do të ndëshkohen rëndë.

Komentet vijnë pasi grupe të caktuara individësh kanë djegur ose sulmuar prona të shqiptarëve në disa qytete të Serbisë, përfshirë restorane dhe furra të bukës.

Incidentet kanë pasuar ndeshjen futbollistike midis Shqipërisë dhe Serbisë, e cila është zhvilluar të martën në Beograd.

Takimi nuk ka arritur të përfundojë për shkak të dhunës në fushë.

Pronari i furrës "Evropa" në Novi Sad, Bajram Temaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sulmuesit kanë thyer xhamet e furrës, në të cilën, përveç punëtorëve ka pasur edhe blerës.

"Pas incidentit në lojë e kam ditur se çfarë më pret. Për më shumë se 20 vjet jam në shënjestër të huliganëve. Edhe pse kam kërkuar mbrojtje nga policia e Novi Sadit, qysh para indicentit, ajo më ka thënë se nuk ka kapacitet për një gjë të tillë. Ajo çfarë më inkurajon është reagimi i banorëve, që më kanë dhënë përkrahje", ka thënë Temaj.

Në rastin e fundit, sulmuesit kanë thyer katër restorane “fast food” të shqiptarëve në Novi Sad.

Persona të panjohur kanë sulmuar të enjten në mëngjes edhe Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë.

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se do t’i trajtojë këto probleme duke u bazuar në konceptin multietnik dhe qytetar të shoqërisë malazeze.

XS
SM
MD
LG