Ndërlidhjet

Dënohet “vrasja” e punëtorit amerikan nga IS-i


Peter Kassig
Peter Kassig

Ka nxitur reagime ndërkombëtare një video, e cila supozohet se është publikuar nga militantët e Shtetit Islamik (IS) dhe pretendon se grupi ekstremist i ka prerë kokën punëtorit amerikan të ndihmës, Peter Kassig.

Duke folur në fund të samitit të vendeve më të industrializuara, G20, kryeministri i Australisë, Tony Abbott, e ka quajtur Shtetin Islamik “kult të vdekjes”.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka dënuar ekzekutimin e punëtorit amerikan të ndihmës, duke e cilësuar atë si “akt barbar”.

Peter Kassig ka qenë duke ndihmuar viktimat e luftës në Siri, kur është marrë peng vitin e kaluar.

Ai është konvertuar në Islam derisa ka qenë në robëri dhe ka ndryshuar emrin nga Peter në Abdul Rahman Kassig.

“Jam i tmerruar nga vrasja e ftohtë e Abdul Rahman Kassigut. Shteti Islamik ka treguar sërish brutalitetin. Mendimet e mija janë me familjen e tij “, ka shkruar kryeministri britanik, David Cameron, në Twitter.

Këshilli për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara ka thënë se zyrtarë të inteligjencës amerikane janë duke punuar për të përcaktuar vërtetësinë e videos.

Familja e Kassigut u ka bërë thirrje mediave që të përmbahen nga përdorimi i videos së prerjes së kokës.

Më herët, militantët e Shtetit Islamik kanë vrarë me prerje koke edhe dy gazetarë amerikanë dhe dy punëtorë britanikë të ndihmës.

XS
SM
MD
LG