Ndërlidhjet

Bastisje në Agjencinë Kosovare të Akreditimit, arrestohen dy persona


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë kryer sot një operacion në Agjencinë Kosovare të Akreditimit në Prishtinë, dhe kanë arrestuar dy persona, nën dyshimet se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, për të përfituar financiarisht nga disa pronarë të universiteteve private.

Në një komunikatë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, inicialet e dy personave të arrestuar janë F.Zh.E, zyrtare e këtij agjencioni dhe A.M., ish zyrtar i lartë në UNDP.

Mediat vendore ndërkaq thonë se bëhet fjale për Ferdije Zhushi Etemin, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë, dhe Armend Mujën, ish punonjës i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP.

“Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Një zyrtar tjetër i Agjencisë thuhet të jetë nën hetime.

Agjencia e Kosovës për Akreditim është agjenci publike për vlerësimin e cilësisë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Në bazë të vlerësimeve që jep, varet edhe funksionimi ose jo i këtyre institucioneve.

XS
SM
MD
LG