Ndërlidhjet

Kirby: Marrëdhëniet në rajon nuk janë në rrezik


Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby
Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Michael Kirby, ka thënë se shpreson që javën e ardhshme do të formohet Qeveria e re e Kosovës, e cila do të çojë përpara dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë.

Ka ritheksuar se SHBA-ja do që të shohë përparim në Kosovë dhe, mbi të gjitha, përparim ekonomik.

Kirby i ka bërë këto komente në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se lirimi i përkohshëm i të akuzuarit serb për krime lufte, Vojisllav Sheshel, ka shqetësuar shumëkë.

Sheshel, me t’u kthyer nga Haga, ka thënë se nuk ka hequr dorë nga projekti i Serbisë së Madhe dhe ka bërë deklarata të tjera luftënxitëse.

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë kundër deklaratave të tilla, duke kritikuar edhe autoritetet serbe, të cilat janë shprehur të indinjuara me një dokument të tillë.

Madje, njëri nga ministrat e Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se vetë Shtetet e Bashkuara qëndrojnë prapa lirimit të Sheshelit.

Por, ambasadori Kirby ka hedhur poshtë një gjë të tillë. Ai ka thënë se ka qenë i befasuar me lirimin e Sheshelit, porse Gjykata e Hagës është e pavarur dhe merr vendime të lira.

Kirby po ashtu ka thënë se tensionet që kanë shkaktuar deklaratat e Sheshelit midis Kroacisë dhe Serbisë, si dhe ato midis Shqipërisë dhe Serbisë, për shkak të incidenteve në një ndeshje futbollistike, nuk tregojnë se marrëdhëniet në rajon janë edhe më tutje në rrezik.

Ambasadori amerikan ka thënë se ndikimi rus në Ballkan do të jetë i pranishëm edhe kur shtetet e këtij rajoni, përfshirë Serbinë, të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG