Ndërlidhjet

Bashkimi Evropian në një vizitë "presioni" në Turqi


Federica Mogherini
Federica Mogherini

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, gjendet për vizitë në Turqi, për të bërë presion që Ankaraja të bashkëpunojë më për së afërmi në luftën kundër militantëve islamikë në Siri dhe për të kërkuar respektimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Gjatë vizitës dyditëshe, zonja Mogherini, dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Bashkimit Evropian, kërkojnë nga Turqia që t’i ndalë hyrjet e luftëtarëve të jashtëm në vendet e tjera nga kufijtë e Turqisë.

Federica Mogherini shoqërohet nga komisionari për fqinjësi dhe negociata për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe ai për ndihma humanitare, Christos Stylianides.

Delegacioni i BE-së, takohet me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me kryeministrin, Ahmet Davutoglu, dhe e viziton një kamp të refugjatëve.

Po ashtu, pritet shpallja e rritjes së ndihmës së Bashkimit Evropian për Turqinë, që më lehtë ta përballojë fluksin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku.

Para se të nisej për në vizitë, Federica Mogherini, tha se qëndrimi në Turqi është “indikacion i fuqishëm për rëndësinë strategjike të marrëdhënieve Bashkimi Evropian – Turqia dhe për dëshirën tonë që ta shtojmë angazhimin”.

Negociatat për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian po zhvillohen prej vitit 2005.

Por, pengesat politike, veçanërisht ato lidhur me Qipron e ndarë dhe rezistencën për pranimin e Turqisë nga disa shtete anëtare, e kanë ngadalësuar progresin.

Turqia ishte pika kryesore tranzitore për evropianët që udhëtonin për në Siri, për të luftuar në radhët e militantëve të Shtetit Islamik (IS) dhe për grupet e tjera.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e ka cituar një zyrtar të Bashkimit Evropian, që ka thënë se BE-ja dëshiron që Turqia të ndihmojë në identifikimin e luftëtarëve të jashtëm.

Por, Turqia argumenton se qeveritë evropiane duhet të bëjnë më tepër për t’i ndalur luftëtarët potencialë që udhëtojnë për në rajon.

Ankaraja, po ashtu, thotë se ka bërë sakrifica të mëdha në vendosjen e mijëra refugjatëve të Sirisë.

Turqia nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, lidhur me Ukrainën.

Zyrtarë të të BE-së thonë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të kërkojë nga Ankaraja që t'u bashkohet sanksioneve, ose së paku të mos e shfrytëzojë situatën për të krijuar avantazhe duke eksportuar mallra përkatëse në Rusi.

Duke folur për BBC-në, Federica Mogherini e ka theksuar mesazhin e saj për ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë një takimi që e mbajtën në Zvicër.

“Ju (Rusia) jeni përkushtuar për rol pozitiv në de-eskalimin në pjesën lindore të Ukrainës. Ne nuk e harrojmë aneksimin e Krimesë, që është shkelje madhore e parimeve ndërkombëtare, por atë që ju jeni përkushtuar ta bëni, lidhur me marrëveshjen e Minskut, ju duhet ta respektoni dhe implementoni".

"Ne e presim këtë nga vendi, që mund të jetë lojtar i rëndësishëm ndërkombëtar, nëse vendos t’i ushtroj përgjegjësitë e veta në mënyrën që duhet ta bëjë një fuqi e madhe”, tha Federica Mogherini.

Para një jave, gjatë vizitës së presidentit rus, Vladimir Putin, në Turqi, Moska pati shpallur ndaljen e projektit të gazsjellësit Rrjedha Jugore, duke u shprehur se Turqia do të ishte partner i preferuar për një gazsjellës alternativ.

Rusia dhe Turqia janë partnerë madhorë tregtarë, meqë pjesa më e madhe e kërkesave për gaz në Turqi dërgohet nga Rusia. (f.bujupi)

XS
SM
MD
LG