Presidenti në largim i Rumanisë, Traian Basescu, thotë se vendi i tij është i përkushtuar për dërgimin e 450 ushtarëve shtesë në Afganistan, duke filluar nga viti i ardhshëm, pasi më herët Bukureshti kishte paralajmëruar dërgimin e 200 instruktorëve dhe trajnerëve ushtarakë.
Basescu tha sot se Këshilli suprem i mbrojtjes e ka miratuar vendosjen e ushtarëve shtesë, të cilët do ta ruajnë aeroportin dhe bazën ushtarake në qytetin Kandahar.
Në komentet e tij të sotme në koferencën lamtumirëse, para dorëzimit të nesërm të detyrës, Traian Basecsu tha se vendimi ishte bërë pas kërkesës së aleatëve të Rumanisë.
Në vitin 2010, Rumania e kishte numrin e saj më të madh të ushtarëve në Afganistan, gjithsej 1600 sosh. Në Afganistan kanë humbur jetën 76 ushtarë rumunë, përfshirë 20 sosh që janë vrarë në aksione.
Forca Ndihmëse e Sigurisë në Afganistan, e udhëhequr nga NATO-ja, e përfundon misionin në fund të këtij muaji, por atje gjatë vitit 2015 do të mbesin afro 12,500 trupa të jashtme, shumica prej tyre amerikanë, që do të kenë rol mbështetës.