Ndërlidhjet

Protestë kundër burgosjes së gazetarëve në Maqedoni


Shkup, 20 janar 2015.
Shkup, 20 janar 2015.

Shoqatat që tubojnë gazetarët në Maqedoni, kanë protestuar në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër burgosjes së gazetarëve.

Protesta vjen pasi Gjykata e Apelit në Shkup ka vërtetuar dënimin prej 2 vjetësh burg për gazetarin Tomisllav Kezharovski, i akuzuar për publikimin e emrit të një dëshmitari të mbrojtur, i cili në raportin hulumtues të gazetarit kishte rezultuar si i rremë.

Në protestën e mbajtur fillimisht para Gjykatës së Apelit në Shkup, e më pas edhe para qeverisë, ka qenë i pranishëm edhe gazetari i dënuar, i cili disa orë para protestës është liruar përkohësisht, për shkak të nevojës së tij për trajtim mjekësor.

Gazetarët kanë kërkuar jo vetëm lirimin e tij nga burgu, por edhe shpalljen e tij të pafajshëm.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, ka shpalosur edhe një karikaturë me portretin e kryeministrit Nikolla Gruevski, si “dhunues i mediave”.

Ai ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisë, duke e akuzuar për ngufatjen e lirisë së shprehjes dhe vendosjen nën kontroll të thuajse të të gjitha mediave në vend.

Protestës i janë bashkëngjitur edhe studentë dhe përfaqësues të partive opozitare.

Ndryshe, burgosja e gazetarit Kezharovski është dënuar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare të mediave, duke kërkuar nga qeveria heqje dorë nga kontrolli i punës së mediave.

Sa i përket gjendjes së mediave, Maqedonia ka shënuar rënie të vazhdueshme dhe ndodhet në grupin e shteteve me liri të kufizuar.

XS
SM
MD
LG