Ndërlidhjet

EULEX ngre aktakuzë ndaj pesë të dyshuarve për terrorizëm


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur një aktakuzë ndaj pesë të pandehurve të cilët akuzohen për vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Misioni EULEX, përmes një kumtese të lëshuar, ka bërë me dije se pesë të pandehurit dyshohen për pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulm të rëndë në territorin e Kosovës si dhe për kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Republikës Arabe të Sirisë.

Të pandehurit janë arrestuar në Prishtinë duke bërë përpjekje për të blerë një sasi të armëve dhe municionit.

Ata dyshohet se i kanë sulmuar dy misionare të krishtera nga Shtetet e Bashkuara.

Dy shtetaset amerikane shërbenin si misionare të Kishës së Jezusit të Shenjtë të Ditës së Fundit dhe ishin pjesë e një misioni me seli në Tiranë në kuadër të Misionit të Adriatikut Jugor, i cili përfshin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Dy të dëmtuarat, dëshminë e tyre e kanë dhënë në shkurt të vitit të kaluar përmes video-lidhjeve. Të dyshuarit janë arrestuar në nëntor të vitit 2013.

Hetimi sipas komunikatës, ka zgjatur 14 muaj, kohë gjatë së cilës janë kryer analizat forenzike të dëshmive nga ana e Agjencisë së Forenzikës të Kosovës.

XS
SM
MD
LG