Ndërlidhjet

KDI: Kryeministri të veprojë në kërkesat legjitime të protestuesve


Ilustrim
Ilustrim

Në prag të protestës së nesërme në Prishtinë, Instituti Demokratik i Kosovës, iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të veprojnë me maturi karshi "kërkesave legjitime të protestuesve" dhe sipas KDI-së, mos t’i anashkalojnë ato me pretendimet se janë politike dhe se Kosova ka probleme më të mëdha.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç, sipas një kumtese të lëshuar nga KDI, me agjitimin të shkaktuar nga komentet e tij, është bërë pengesë reale e qeverisjes dhe po vonon procesin e adresimit të sfidave madhore, me të cilat sot po përballet shteti i Kosovës.

“Migrimi masiv në mënyrë ilegale i qytetarëve të pakënaqur, papunësia dhe stagnimi ekonomik janë sfida që nuk presin, andaj Qeveria e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi në realizimin e kërkesave legjitime të protestuesve dhe t’a kthejë vëmendjen dhe energjinë tek adresimi i këtyre problemeve”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës, sipas KDI-së, nuk duhet të tolerojë asnjë zyrtar të saj të bëjë deklarata të pamatura që prekin dinjitetin e qytetarëve dhe integritetin e shtetit të Kosovës, andaj, kanë kërkuar që të veproj sa më parë në shkarkimin e ministrit Jabllanoviç.

Sa i përket Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ai sipas KDI-së, ai duhet të kthehet sa më shpejt për shqyrtim në Kuvend, në mënyrë që të definohet statusi i “Trepçës” dhe e njëjta të mos futet si temë në dialogun e shtetit të Kosovës me atë të Serbisë.

KDI ka apeluar që protesta e paralajmëruar për të mërkurën në Prishtinë, të mos jetë e dhunshme.

XS
SM
MD
LG