Ndërlidhjet

Dënohen ashpër shpërthimet e sotme në Tiranë


Ilustrim
Ilustrim

Dy shpërthimet me tritol që kanë ngjarë mëngjesin e sotëm në Tiranë dhe një i tretë i mbetur në tentativë, kanë zgjuar reagime të faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar në Shqipëri.

Përmes një deklarate të lëshuar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e ka dënuar fuqishëm përdorimin e eksplozivëve gjatë sulmeve të sotme në Tiranë.

“Përdorimi i dhunës si mjet kanosjeje dhe trysnie është një akt burracak që minon demokracinë dhe nuk ka vend në Shqipërinë e sotme”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Ambasadës Amerikane e cila është zotuar se do ta vazhdoj mbështetjen e saj afatgjatë për Ministrinë e Brendshme, Policinë dhe të tjera shërbime të sigurisë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes një komunikate të lëshuar ka thënë ndërkaq se i dënojnë aktet e tilla dhe janë të tronditur nga shpërthimet e sotme

“Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të fuqishme për forcimin e shtetit ligjor, pa kompromis. Ne besojmë se autorët e krimit do të dalin para drejtësisë dhe presim që të gjitha forcat politike të bashkohen për ta mbështetur këtë synim”, thuhet mes të tjerash në reagimin e zyrës së BE-së në Tiranë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama përmes rrjetit Facebook ka reaguar ndaj rasteve të sotme duke thënë se “Permes një akti terrorist ndaj familjes së ministrit të brendshëm, kafshim monstrash që kanë marrë, po marrin dhe do të marrin atë që meritojnë: Dorën e shtetit në fyt deri në frymën e tyre të fundit!”

Edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas shpërthimeve me tritol të cilat ai i ka quajtur akte terroriste.

“Të gjenden autorët e të ndërshkohen. Politika t’i dënojë njëzëri aktet e tilla”, ka thënë Meta.

Përmes rrjetit social Facebook, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në barnatoren e babait të të cilit ka ndodhur njëri nga shpërthimet, është zotuar se nuk do të ketë kthim prapa në betejën kundër krimit e kriminalitetit.

Partia Demokratike ndërkaq ka reaguar duke thënë se kjo e tregon pasigurinë në vend.

Shpërthimet në Tiranë kanë ngjarë rreth orës 2:05 përkatëisht 3:05 në dy lokacione të ndryshme, fillimisht në barnatoren e babait të ministrit të brendshëm e i dyti në katin e pestë të një pallati, në një prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Ndërsa, në orën 06:15 minuta, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, është zbuluar një sasi e lëndëve eksplozive, e gatshme për të shpërthyer. Pas konstatimit të lëndës, nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Shtetit është kryer shpërthimi i kontrolluar.

Prokuroria po i zhvillohet hetimet.

XS
SM
MD
LG